Moti i keq dhe me reshje të shumta ka bërë që shuma zona të vendit të përmbyten, përfshi këtu edhe disa pjesë të Kryeqytetit. Kësisoj, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e Shtabeve të Emergjencave Civile në çdo prefekturë. Përmes një deklarate, Ministria ka bërë publike të dhënat e deritanishme në lidhje me gjendjen aktuale në disa nga zonat më të prekura në vend nga reshjet e dendura të shiut.
Sipas deklaratës së Ministrisë Brendshme të gjitha strukturat e Policisë, Zjarrëfikësve dhe Ministrive të Transporteve e Mbrojtjes, po punojnë në terren, nën drejtimin e Prefektëve për të përballuar situatën.
Më poshtë deklarata e Ministrisë për zonat më problematike deri më tani në vend:
Qarku Tiranë:
– Ka pasur probleme të përmbytjes nga uji në zonat përballë ish ekspozitës “Shqipëria sot”; në Kodër Kamëz rruga “Rustem Haklaj”; si dhe në Yzberisht, rruga “Riza Juka”.
Në vendngjarje është dërguar automjet zjarrfikës për thithjen e ujit dhe punonjës nga bashkia e Tiranës dhe struktura të tjera për normalizimin e situatës.
Prezencë uji ka edhe në disa rrugë kryesore të qytetit Tiranë dhe në zonat përreth.
– Tek ish-stacioni i trenit rruga “Karl Gega” ka një shembje dheu në një gropë pallati. Po merren masa urgjente nga Njësia Administrative për ndërhyrje në këtë situatë.
– Autostrada Tiranë-Durrës, është përkohësisht me trafik të rënduar për shkak të prezencës së ujit në autostradë. Po punohet në bashkëpunim me Drejtorinë e ARRSh për normalizimin e situatës.
– Në lagjet Kombinat, Yzberisht, Kashar, dhe Paskuqan ka ndërprerje të energjisë elektrike. Grupet e OSHEE janë në terren për riparimin e difekteve.
Qarku Durrës:
Probleme më të rënda janë konstatuar në Fushë-Krujë përkatësisht në fshatrat Zezë, Tapizë, Nikël pati fryrje të lumit Zezë, i cili depërtoi në disa banesa në dy lagjet e fshatit Zezë, që janë pranë lumit. Uji dëmtoi dhe një pjesë të rrugës pranë urës që lidh fshatin Vrion dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe këmbët e urës së fshatit Zezë. Tashmë niveli i lumit ka rënë. Në Fushë-Krujë pati fryrje të lumit tek ura kryesore e qytetit.
Në zonën e Cudhisë ka rrëshqitje dheu në rrugën e Bruz Malit dhe të Shkretës. Hidrovori i Porto Rromanos dhe ai Hamallaj janë në gatishmëri dhe situata është pa probleme.
Qarku Kukës:
Për shkak të reshjeve që vazhdojnë reshjet me intensitet të lartë, ka pasur ndërprerje të energjisë dhe inerte në mjaft prej akseve rrugore. Nga erërat e forta është dëmtuar në disa vende edhe sinjalistika rrugore.
Problem është rrëshqitja e aksit rrugor Kukës-Bushtricë Km 29 dhe rrëshqitja e aksit Krumë-Qafë Prush në vendin e quajtur Bregu – Vlanës.
Është dëmtuar një biznes në Bashkinë Has, si dhe dy stallë bagëtish në fshatin Domaj.
Megjithatë në territoret e Bashkive nuk ka bllokim të qarkullimit.
Ka ndërprerje të energjisë elektrike si rezultat i erëra të fuqishme që kanë goditur linjat e tensionit të mesëm e të ulët duke shkaktuar këputje telash dhe rënie shtyllash.
Aktualisht janë pa energji:
Rrethi Kukës – Njësia Administrative Arrën, Kalis, Grykë Çaj, Malzi, Zapod, Shishtavec, Topojan.
Rrethi Has – Njësia Administrative Fajza, Gjinaj (tre fshatra), Golaj (dy fshatra).
Rrethi Tropojë – Lekbibaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bytyç.
Qarku Dibër:
Në njësinë Administrative Lurë, ka humbur jetën shtetasi Adil Vladi 27 vjeç, i cili ishte duke pastruar një kanal uji në hidrocentralin Lura 1, Lura 2, në Armollë. Sipas informacioneve ai është rrëmbyer nga rrjedha e ujit. Po punohet nga strukturat e policisë dhe banorët për gjetjen e trupit të shtetasit.
Problem në të gjithë qarkun mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi ka disa fshatra të Dibrës dhe mjaft zona të rrethit të Matit ku mungon energjia elektrike.
Nga ana tjetër, megjithë reshjet e dendura, nuk ka pasur dëmtimeve në infrastrukturë apo rrëshqitjet të dherave ndërkohë që të gjithë akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.
Vetëm në dalje të Burrelit, ka një dëmtim të rrugës nacionale nga rreshqitjet. Po punohet nga bashkia Mat me dy fadroma për hapjen e rrugës.
Qarku Shkodër:
Njoftohet se në zonën e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Kozhnje e Pronjet janë dëmtuar dy ura që lidhin fshatrat Kozhnje, Nikç e Vukël.
Qarku Gjirokastër:
Në fshatin Petran, të bashkisë Përmet, si rezultat i motit të keq dhe erës së fortë, është dëmtuar një stallë bagëtish në pronësi të një shtetasi.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda një kohe të shkurtër. Në 10 Drejtoritë Rajonale dhe në terren po punon një personel prej 1650 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 26 grupe për ndjekjen e regjimit të punës dhe 26 inxhinierë të sigurisë në punë. Aktualisht po furnizohen me energji elektrike të gjithë hidrovoret dhe qendrat spitalore.