Arsil dhe Sajmir Shera janë dy vëllezërit që dyshohet se janë autorë të vrasjes së taksisit të moshuar, Abdulla Budlla tre ditë më parë, ngjarje e ndodhur në kryqëzimin e rrugës së Rinasit.
Në një njoftim zyrtar për mediat, policia bëri me dije se gjatë operacionit u gjet edhe mjeti që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.
Sipas bluve, dy vëllezërit akuzohen për vrasje me paramendim.
“S. Sh., 32 vjeç, i dënuar më parë dhe A. Sh., 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, tha Policia.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.
Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 03.08.2020, në rrugën nacionale Fushë Krujë – Vorë, në kryqëzimin e rrugës së Rinasit, ku u vra me armë zjarri 71-vjeçari A. B.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.
Gjatë operacionit u vu në pranga edhe një 29-vjeçar, pasi gjatë kontrollit iu gjetën armë dhe drogë.
Si rezultat i një punë të mirorganizuar dhe të pandërprerë për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, falë provave të siguruara, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, u zhvillua operacioni Policor “Brothers”, në kuadër të të cilit u bë i mundur, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht i dy vëllezërve:
S. Sh., 32 vjeç, i dënuar më parë dhe A. Sh., 20 vjeç, banues në Rinas, Krujë, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe mjetin që kanë përdorur dy vëllezërit për të kryer krimin.
Nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
g.kosovari