Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka gjetur zgjidhje se si të mos ketë më përgjegjësi për listat, dhe një alibi për cilësinë e tyre të dobët. Komisioni “Nishani” që do të noterizojë kandidatët, shërben për të shpëtuar Lulzim Bashën nga premtimet që ka bërë pa fund për lista dhe që me sistemin e listës së përbashkët me aleatët, do ta ketë të vështirë të kalojë pa konflikte.
Por për të qenë i sigurtë, para se kandidatët të shkojnë në Komision, Basha i ka seleksionuar me jeniçerët e tij në bazë.
Kështu që në Komision do shkojnë një listë emrash anonimë apo propozime banale të bazës të cilat Komisioni do t’ia ofrojë Bashës si alternativë dhe që në finale shumë pak do përfundojnë deputetë.
Defekti nuk është tek Komisioni dhe pse kryesohet nga një njeri qesharak. Defekti është se një parti nuk mund ta bësh demokratike në një hallkë dhe nepotike në gjithë hallkat e tjera.
Demokratike është të bësh garë paraprake brenda partisë dhe prej andej të dalin kandidatët. Ashtu gjykon anëtarësia dhe kandidatët që fitojnë, kanë dhënë prova reale.
Pas kësaj nuk ka nevojë për Komision. Kuvendi i partisë miraton më të votuarit dhe procesi është i përfunduar.
Demokratike po ashtu është të marrësh përgjegjësi personale për listën dhe të shkosh në zgjedhje si lider. Kjo i shkon më së shumti së djathtës. Nëse fiton me atë listë, meriton pushtetin, nëse humbet ikën në shtëpi.
Lulzim Basha nuk ka bërë as të parën as të dytën. Por ka vendosur t’i zgjedhë vetë kandiatët, por t’ia lërë përgjjegjësinë Komisionit, i cili në këtë rast nuk ka asnjë funksion. Atij i është dhënë një thes me kashtë dhe ka marrë detyrën që disa fije kashte, t’ia paraqesë kryetarit. Aty brenda nuk ka asnjë figurë kritike me Bashën. Gjithë propozimet e tilla u rrëzuan nga “baza”. Kudo që doli emri i Rusmalit, Topallit, Bodes apo të tjerëve, u eleminuan.
Mes besnikëve të Bashës mund të zgjedhësh kë të duash, nuk është se gabon. Në këtë rast komisioni është alibi dhe jo mekanizëm seleksionimi. Eshtë alibi që Basha të mos mbajë përgjegjësi në qershorin që vjen, nëse humbet, pasi do të thotë se “këto kandidaturat mi zgjodhi Komisioni”.
Pas kësaj, të gjithë ata që do ankohen pse nuk janë në lista, do ta kuptojnë që Komisioni nuk ishte që t’u jepte të drejtë atyre, por që t’i jepte të drejtë Bashës. Eshtë pak a shumë si tek episodi i “Ushtarit të mirë Zhvejg”. Ushtarët u ankuan për komandantin e tyre dhe kërkuan ndihmë tek Komisioni.
Komisioni i ngritur për ankesat e ushtarëve, verifikoi gjendjen dhe arriti në përfundimin se komandanti ka pasur të drejtë dhe se ushtarët nuk kishin të drejtë. Pas kësaj Komandanti rreshtoi kompaninë dhe e detyroi të parakalonte para komandantit, duke përsëritur dhjetë herë parrullën: “Ne menduam që Komisioni do na jepte të drejtë, por Komisioni na dha të drejtë një mut”. Për kaq vlen dhe ky Komision. Të mos u japë të drejtë atyre që duan të kandidojnë, por t’i japë të drejtë atij që bën listën. Tema