Nga Artur Ajazi
Ditët e fundit, mediet e ish-opozitës së shpartalluar, dhe disa syresh të parapaguar mirë nga SHQUP-i, po përhapin lajme të rreme dhe thashethemnaja, që do ti kishin zili edhe mesjetarët, sikur “Edi Rama i ka të gjitha në dorë, dhe tani mbetet të shpallet perandor”. Mëndje me hije dhe llogjikë të kalbur, po hedhin çdo ditë në tregun mediatik të ish-opozitës, në mediet e shumta e të mirëpaguara nga ajo, lajme idioteske, madje duke gënjyer vehten se “ato mund ti shërbejnë PD dhe Lulzimit si parafushatë origjinale”. Sipas tyre “Edi Rama i ka të gjitha pushtetet në dorë, dhe po e shpie vendin nën një regjim monopartiak”.
Askush nuk e ka ndaluar Lulzim Bashën të jetë pjesë e Parlamentit, e komisioneve parlamentare, askush nuk e ka ndaluar atë të qaset dhe ti bashkohet tryezave dhe bisedimeve partiake, askush nuk e ka ndaluar ish-opozitën e vjetëruar në kulm, të jetë dhe të bëhet pjesë e Vettingut, reformave në drejtësi, askush nuk i ka mbyllur derën asaj të japë mendimet e sygjerimet e veta lidhur me Reformën Zgjedhore, lidhur me ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvend. Por Lulzim Basha ka bërë dhe po bën të “ledhatuarin”, ai bën “interesantin”, ai kërkon ta mbajë peng të ardhmen e vendit ashtu siç po bën me Partinë Demokratike, kërkon stopimin e reformave, stopimin e Vettingut, duke u bërë avokat i çdo prokurori dhe gjyqtari, që zbulohet me shkelje dhe abuzime korruptive.
Mendimtarët injorantë që paguan SHQUP-i, natyrisht do të jenë pjesë e fushatës zgjedhore, ashtu siç po mobilizohen qysh tani në hartimin e proklamatave mashtruese. Askush nuk e ka penguar zotin Basha (përkundrazi e ka ftuar me dhjetra herë) të jetë pjesë e tryezave, nga ku palët politike diskutojnë mbi reformat dhe proçesin e ri zgjedhor. Por synimi i tij ka qenë pengesa, bojkoti, harresa, dhe sabotimi i çdo hapi përpara.
Edi Rama nuk ka ardhur në pushtet për tu bërë as “pasha dhe as perandor”, pasi nuk e ka patur kurrë një ambicje të tillë. Por SHQUP-i, duket se “ngatërron” vitet, dhe jo pa qëllim. Nuk jemi në 1994 Lulzim, kur Doktori kërkonte ndryshimin e Kushtetutës me referemdumin e panipuluar, për të shpallur vehten “Stalini i Shqipërisë”. Ajo që sot dërrdëllisin lart e poshtë mediave të SHQUP-it, shqupistët e rinj, është sa qesharake aq edhe e banale.
Edi Rama e ka dhënë provën e madhe, se erdhi, është dhe do të jetë në pushtet, për të bërë shtetin ligjor, për të përmbyllur reformat në sistemin e kalbur të drejtësisë, për të futur ekonominë dhe financat në binarët e ligjit, dhe Shqipërinë në Bashkimin Europian. Rruga që ka marrë Edi Rama nuk të shpie gjëkundi në të bërin “pasha apo perandor”, pasi ajo është rrugë e pastër europianiste. Terma të tilla u përkasin mendësive të vjetra, botkuptimeve komuniste, dhe të tillë ekzemplarë do të gjesh me dyzina në SHQUP.
Një parti që ecën, dhe nuk e di ku ecën, dhe pastaj kthehet sërish atje ku ishte, një parti që quan “reformim” rikthimin e dështakëve dhe abuzatorëve, padyshim që rruga europianiste e Edi Ramës do ti duket si “rruga drejt të bërit perandor”. PD e Lulzim Bashës, është qindra vite dritë larg, kuptimit dhe funksionimit të shtetit ligjor, ashtu siç është 1 shekull larg, praktikave demokratizuese që shëndoshin jetën e brëndshme të një partie. E vetmja forcë politike që “prodhon” perandorë në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet vetëm ajo me seli në SHQUP.