Ekspertiza paraprake e kryer nga mjekët e Mjekësisë Ligjore, ka dalë në përfundim se 40-vjeçari Florjan Lamçe ka humbur jetën si pasojë e goditjeve të forta.
“Vdekja e tij është shkaktuar nga një goditje e fortë në kokë me këmbën e karriges, e cila i ka çarë kafkën dhe sërish nga goditjet, ai ka pësuar edhe një çarje të aortës në parakrahun e majtë”, thuhet në ekspertizë.
Analizat e gjakut si edhe të alkoolit u janë marrë edhe dy të dyshuarve të tjerë, Sokol Sanxhaktari si edhe Adriano Hajdari, ku paraprakisht që të dy kanë rezultuar të dehur në momentin që kanë kryer krimin.
KUSH ËSHTË “FLOR QORRI”
40-vjeçari Florjan Lamçja, në muajin shkurt 2020, është përfshirë në një ngjarje, ku besohet se ka qëlluar me armë në drejtim të Rodi Bylykbashit, por pa i shkaktuar dëmtime. Ndërkohë, ai rezulton gjithashtu i dënuar për plagosje dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Për këtë të fundit, ai është dënuar me 3 vjet burg nga Gjykata e Elbasanit, pasi u përfshi në 2012-ën në një ngjarje kriminale, ku mbeti i vrarë Almir Cani. Pronari i disko “Tekila” në Elbasan u ekzekutua me dy plumba në kokë mbrëmjen e 23 shkurtit 2012. Dy vëllezërit, Florjan dhe Olsi Lamçja, e kanë thërritur atë me telefon, duke e nxjerrë jashtë banesës, nga ku më pas e kanë vrarë me dy plumba. Autorët arritën të fshehin mjaft prova të vendit të ngjarjes, përfshirë edhe gëzhojat, si dhe telefonin celular të viktimës.
Në fund të gjykimit, Florjan Lamçja u dënua me 3 vite burgim si personi që kishte fshehur provat në vendngjarje, ndërsa vëllai i tij, Olsi Lamçja, u dënua me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes me paramendim. I gjithë konflikti që solli më pas vrasjen, ndodhi për një shumë prej 300 mijë lekësh të vjetër.
Asokohe, Cani i ka pasur miq dy vëllezërit dhe u kërkoi ndihmë që t’i merrnin borxhin një biznesmeni, i cili kishte kohë që nuk ia kthente Canit. Dy vëllezërit pranuan, ku në këmbim Cani u kishte premtuar se do t’u jepte 300 mijë lekë të vjetër.
Këtu ka nisur edhe konflikti mes biznesmenit dhe dy vëllezërve, të cilët mësuan se pasi e kishin kërcënuar biznesmenin që t’i jepte lekët Canit, ky i fundit i kishte marrë paratë dhe nuk i kishte dhënë premtimin dy vëllezërve. Këta të fundit në muajin shkurt të vitit 2012 e thërrasin poshtë banesës së tij dhe e vrasin pronarin e disko “Tekila”./ panorama
g.kosovari