Gushti do të jetë muaji më i keq sa i përket përhapjes se infeksionit nga Covid-19. Ekspertët parashikojnë shtim të rasteve ditore veçanërisht në Tiranë. Virusi në kryeqytet ka kaluar ne transmetim komunitar, ndërsa qytetarët nuk janë ndërgjegjësuar për respektimin e masave mbrojtëse.
“Çdo lirim masash nga maji deri tani ka pasur pas 2-3 javësh pikun e të infektuarve dhe shtrimeve në spital dhe terapinë intesive. Edhe kjo periudhë është moment piku dhe do të vazhdojë për 2 javë patjetër”, tha Brataj.
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare thotë për A2 se edhe spitalet rajonale dhe ata bashkiake janë përgatitur për të trajtuar pacientë të prekur nga koronavirusi.
“Në bazë të ligjit për sëmundjet infektive, të gjithë spitalet bashkiake dhe rajonale janë të detyruar të kenë një hapësirë të dedikuar që garanton izolimin, diagnostifikimin e të sëmurëve me Covid. Menaxhimi deri tani është bërë nga Covid 1 dhe 2 ndërsa këto spitale po japin mbështetjen”, shtoi Brataj.
Përfaqësuesi i Task Forcës sqaron se virusi do të jetë për një kohë të gjatë me ne. Brataj u bën thirrje qytetarëve të respektojnë dy masat kryesore, distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Sipas tij çdo lloj maske e përdorur si duhet nga qytetarët ndalon transmetimin e virusit
“Që nga maskat kirurgjikale deri tek ato të bëra vetë janë të vlefshme dhe të mbrojnë në një përqindje të lartë. Janë e vetmja masë sot për sot, së bashku me distancimin fizik dhe ruajtjen e higjienës”, përfundoi kreu i Urgjencës.
Nga fillimi i epidemisë janë prekur nga koronavirusi mbi 5 mijë qytetarë, gjysma e tyre janë të sëmurë aktivë. Tirana është zona më e nxehtë e infeksionit dhe zyrtarisht ka mbi 1 mijë raste aktive, por edhe numrin më të madh të viktimave nga Covid-19.