Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Prof. Asoc. Bajram Rushit Begaj u betua sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, Gjeneral Major Begaj duke vënë dorën mbi Kushtetutë, u zotua para Presidentit Meta duke thënë formulën e betimit
“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë”, tha ai.
Duke i dorëzuar dekretin e emërimit, Kryetari i Shtetit i uroi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm punë të mbarë dhe suksese në detyrën tepër të rëndësishme në drejtimin e Forcave të Armatosura shqiptare.
Presidenti Meta theksoi se edukimi dhe specializimi i Gjeneral Major Begaj në fushën e mjekësisë është një vlerë e shtuar që do ta ndihmojë atë në ushtrimin me përgjegjshmëri të lartë të kësaj detyre, veçanërisht në kushtet e përballimit të sfidave të kohës për Forcat tona të Armatosura, si pjesë e NATO.
Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Brigade Albert Mullai, si dhe Komandanti i Komandës Mbështetëse të FA-ve, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku.
/a.r