Kryeministri Edi Rama thotë se Ilir Meta nuk do të shkarkohet si President, pavarësisht shkeljeve të gjetura në komisionin hetimor parlamentar.
Duke folur sot në parlament, ai tha se është koha që Kuvendi ti jap drejtim qartësimit të kompetencave formale dhe substanciale.
“Duhet hartuar një ligj organik për Presidentin, ku të përfshihen përcaktimet për mosbllokimin e proceseve zgjedhore, të evitohet precedentët skandaloz, të bëhet një thjeshtim për dispozitat për emërimin e anëtarëve të gjykatës, sipas rekomandimeve të komisionit dhe mekanizmat zhbllokues. Nuk mund të ndodhë më që Presidenti të refuzojë të dekretojë ministra. Të gjitha duhen adresuar, jo për Ilir Metën, por institucionin e Presidentit, që sot është kapur për fyti dhe përdoret si instrument për të bërë politikë partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt”, u shpreh Rama.
Ai tha se ne kemi një President me Hënë, ku sipas tij sa herë Hëna rrotullohet në drejtimin e duhur dhe bashkëpunon si në rastin e koronavirusit.
Rama shtoi se mesazhi që jep kjo shumicë është duke iu referuar të ardhmes dhe jo të shkuarës dhe duke e parë këtë rast si mundësi për të adresuar për të ardhmen.
Në këtë linjë deklaroi se që Presidenti tejkaloi kompetencat, që cenoi parimin e sovranitetit të popullit, nuk respektoi parimin e unitetit të popullit janë fakte të provuara nga Komisioni i Venecias dhe jo hartime.
“Presidenti është në shkelje dhe jeton duke shkelur Kushtetutën në atë zyrë, kjo nuk ka diskutim. Por ka shkelur edhe etikën e atij institucioni dhe atë që është arsyeja e ekzistencës së këtij institucioni, simbol i unitetit kombëtar dhe mbi palët dhe jo të bëjë mitingje me një palë kundër një tjetre”, tha ndër të tjera Edi Rama.
/a.r