Greqia është në zi pas faljes së namazit të parë tek Shën Sofia që u kthye sërish në xhami. Flamuri u ul në gjysmë shtizë. Veç këmbanave, u këndua edhe këngë kishtare, e njëjta që u këndua edhe kur Kostandinopoja u pushtua nga Osmanët.
Revoltë shprehën edhe qytetarët grekë të cilët dogjën flamurin turk në Selanik. Ashpër reagoi edhe Kryeministri grek Mitsotakis.
“Ato që ndodhin në Turqi nuk janë shfaqje force, por provë dobësie. Duhet të reagojë e gjithë bota. Shën Sofia është më shumë se kurrë në zemrat e grekëve ortodoksë. Zemra na rreh aty. Dhimbjen duhet ta kthejmë me gjakftohtësi, forcë dhe bashkim”.
Turqia i quajti akte fashiste reagimin në shtetin fqinj. Por nga ana tjetër, edhe në Turqi ka polemika në lidhje me faljen e parë të namazit në xhaminë e Shën Sofisë.
Shkak është bërë mallkimi që i bëri kreu i komunitetit mysliman turk, Ali Erbash, babait të kombit turk Ataturk, gjatë lutjes të së premtes.
“Sulltan Mehmeti hodhi themelet e një xhamie në këtë ndërtesë madhështore që e kishte si beben e syrit dhe e la amanet që të mbetet e tillë deri në ditën e fundit të botës. Në besimin tonë, themelet e fesë nuk preken. Ai që i prek, digjet. Themelet e fesë nuk ndryshohen. Ai që i shkel me këmbë, është i mallkuar”.
Nisur nga këto fjalë, analistë dhe politikanë opozitarë kërkojnë dorëheqjen e Ali Erbashit ndërsa cilësojnë shfaqje atë që ndodhi të premten tek Shën Sofia. Bëhet fjalë për disa elementë si lutja me shpatë në dorë që njihet si shpata e pushtimit, nga kreu i komunitetit mysliman turk.
Po ashtu edhe leximi i disa vargjeve të Kuranit nga Presidenti Erdogan. Xhamia e Shën Sofisë është tashmë 24 orë e hapur dhe vizitohet nga qytetarë të shumtë të cilët falin namazin apo thjesht bëjnë fotografi.
/a.r