Tesilian Basho, i njohur ndryshe si Tesi Basho, rrezikon që të qëndrojë 10 vite burg pas hekurave.
Është kjo kërkesa e bërë nga Prokuroria e Vlorës, e cila ka dhënë pretencën, i akuzuar për veprat penale “Mbajtje pa leje e armëve”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Falsifikim pasaporte” dhe “Kultivim të lëndëve narkotike”.
Tesi Basho, u arrestua në 16 tetor të vitit 2019, në Selenicë të Vlorës, ku dhe njihej si “i forti” i zonës.
Gjatë operacionit për kapjen e tij u sekuestruan 4 armë zjarri kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, një armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme.
38-vjeçari ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali, pasi në vitin 2008 vrau dy prostituta. Tesi Basho në 2016 u arratis nga burgu në Itali dhe më pas filloi sërish aktivitetin kriminal.
Në 2017 ai kërcënoi me jetë një biznesmen të cilit i kërkonte 100 mijë euro. Me ndihmën e vëllait Santilo Basho arriti t’i merrte biznesmenit 20 mijë euro.
Takimet mes biznesmenit dhe Bashos u përgjuan ndërsa paratë u fotografuan. Santilo Basho nuk u ndalua pasi prokuroria donte të arrinte tek Tesi Basho që konsiderohej një person shumë i rrezikshëm.
Tesi Basho krahas akuzave të rënda që ka në Itali po hetohet edhe për gjobëvënie ndaj biznesmenit bashkë me vëllanë.
/a.r