Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, janë duke zhvilluar secili përmes axhendave të veçuara të partive që ata përfaqsojnë, nga një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Basha e ka nisur dje vizitën dhe është sot në mbyllje të saj, ndërsa Balla sapo e ka nisur atë.
Pas takimeve që pati me krerët më të lartë të qeverisë dhe shtetit në Kosovë, si dhe përfaqësues të politikë në Prishtinë, Basha është ndalur sot për të nderuar, atë që ai e quajti “arkitekt i Kosovës së pavarur”, Presidentin Ibrahim Rugova.
“Një moment i veçantë për mua, sa herë që shkoj në Kosovë, është nderimi i arkitektit të Kosovës së pavarur Presidentit Ibrahim Rugova”, tha Basha.
“Dr. Ibrahim Rugova u bë nismëtar i një lëvizje madhore për liri, kur të paktë ishin ata që guxonin ta arrikulonin këtë ide, nën dhunën dhe terrorin serb”.
“Ideja e tij e parashtruar para miqve e partnerëve ndërkombëtarë se Pavarësia e Kosovës do ta paqtonte gjithë rajonin, është sot një realitet”, shtoi ai.
“Vizioni, përkushtimi, dhe vepra e tij për paqe, liri, dhe pavarësi, e kanë lartësuar përgjithnjë Presidentin Rugova në altarin e shenjtë të historisë së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar”.
“Ibrahim Rugova do të mbetet frymëzim për breza të tërë politikanësh që vendin dhe popullin e tyre e vënë përpara interesit personal. Nderim përjetë veprës së ndritur të Presidentit Ibrahim Rugova”, mbylli Basha mesazhin e tij, teksa pritet të rikthehtet mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Sakaq, Taulant Balla vizitën e parë e ka zhvilluar me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Taulant Balla e përshkroi si “takim shumë vllazëror”, atë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë për liri e një populli autokton kundër gjenocidit të Millosheviçit. Tërësisht mbështes Presidentin Thaçi se “askush nuk do ta rishkruajë dot historinë e lirisë…” së Kosovës” mbylli Taulant Balla mesazhin e tij.
Vizita e dy dyrtarëve të lartë të politikës së Tiranës, thuajse në të njëjtën kohë, shihet edhe si një rivalitet mes dy partive kryesore shqiptare, për të shkëmbyer mesazhe vëllazore me Prishtinën, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
/a.r