Personi qe shihni ne foto eshte 39-vjeçari, qe u ekzekutua me breshëri plumbash pasditen e djeshme në qytetin e Elbasanit.
Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”, përgjatë superstradës Elbasan-Metalurgjik, ndërsa viktima është shtetasi Emiljano Ramazani.
Në momentin kur është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar nga Policia, 39-vjeçari ndodhej në mjetin e tij. Sipas informacioneve të dhëna nga Policia e Elbasanit, 39-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, si pasojë e plumbave që kishte marrë në trup.
Ai sapo kishte hipur në mjetin e tij, kur më pas iu afrua një makinë dhe qëlluan ndaj tij me breshëri arme.
NGJARJA
Sipas uniformave blu, viktima Emiljano Ramazani kishte drekuar në një lokal në zonën kur ndodhi ngjarja dhe më pas kishte shkuar në makinën e tij për t’u larguar. Por pa vënë re se persona të armatosur po e mbanin nën vëzhgim prej kohësh. Ramazani, sapo kishte hipur në mjetin e tij dhe po dilte në rrugën kryesore, është qëlluar me breshëri nga autorët, që dyshohet se ishin të maskuar. Sipas burimeve të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se në mjet kanë qenë dy persona, njëri ka qëlluar, ndërsa tjetri drejtonte makinën. Pas kësaj, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi për të djegur automjetin në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në një zonë të pyllëzuar.
MJETI I DJEGUR
Pasi kanë kryer krimin, ku dyshohet se kanë qenë dy autorë, këta të fundit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe kanë marrë drejtimin drejt Bradasheshit e më pas drejt Peqinit. Sipas Policisë, ata kanë ndaluar në një ullishte të Njësisë Administrative Papër dhe aty i kanë vënë flakën mjetit me të cilin kryen edhe krimin. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se mjeti është i tipit “Renault Megane” me targa AA 819 KX, ndërsa mësohet se këto të fundit janë deklaruar të vjedhura kohë më parë. Në brendësi të mjetit janë gjetur edhe dy armë kallashnikovë.
KUSH ËSHTË VIKTIMA
Viktima e atentatit në Elbasan është një emër i njohur për drejtësinë e vendit tonë. Emiljano Ramazani njihet me nofkën “Rramani”, me banim në lagjen “Sul Paprri” të qytetit të Elbasanit, i martuar, me fëmijë dhe ka qenë disa herë i arrestuar dhe dënuar. Në vitin 2012 ai është arrestuar së bashku me 5 persona të tjerë për shpërndarje të lëndëve narkotike (kokainë).
Pesë vite më pas ai është kapur sërish së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Burimet thanë se 39-vjeçari kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu, pasi ishte arrestuar më herët për shpërndarje të kokainës. Pista ku po hetohet për momentin është larja e hesapeve mes bandave për konfliktet e vjetra lidhur me aktivitetin kriminal. Gjithashtu mësohet se vëllai i viktimës ka një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit./ panorama
g.kosovari