Mbledhja e Këshillit Politik është ndërprerë për disa minuta me kërkesë të kryeministrit Edi Rama. Mbledhja filloi në orën 11:00 dhe pushimi po zhvillohet pas tre orëve debate për listat dhe koalicionet.
Gazment Bardhi, sekretar i Përgjithshëm I Partisë Demokratike është shprehur në mbledhjen e këshillit politik se hapja e listave nuk mund të diskutohet tani.
“Kuptuam nga diskutimi i Kryetarit të Partisë Socialiste që qëllimi është të rihapim edhe njëherë diskutimin për përmbajtjen e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe të bëjnë ndryshime të saj. Drafti i marrëveshjes së 5 Qershorit është produkt i një pune të përbashkët 6 mujore, është miratuar dhe nënshkruar me konsensusin e të gjitha palëve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ne i qëndrojmë firmës sonë dhe deklarojmë që nuk mund të rishihet apo rishkruhet asnjë fjalë ndryshe nga ajo që palët kanë dakordësuar dhe nënshkruar bashkërisht. Çështjet që ju shtruat bien në kundërshtim dhe ndryshojnë Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe prishin dakordësinë që ne kemi arritur aty. (nenet 19 dhe 36 të draftit të nënshtruar në zbatim të marrëveshjes së 5 Qershorit).
Gjithashtu, në mbledhjet e Këshillit Politik, por edhe gjatë diskutimeve në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-së, përfaqësuesi zyrtar i Partisë Socialiste nuk ka dhënë konsensusin për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe ka dakordësuar se kjo çështje nuk mund të diskutohet tani, por në një fazë më të vonshme.
Ky fakt konfirmohet edhe nga përmbajtja e marrëveshjes së 5 Qershorit, ku specifikohet në shënimin nr. 2 që “nuk ka konsensus për ndryshimin e sistemit”. Sipas pikës 12 të marrëveshjes së firmosur më 5 Qershor “12. Hyrja në fuqi”: “ky shënim është i zbatueshëm për zgjedhjet e rradhës” u shpreh Bardhi, sipas selisë blu.
/a.r