Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, u mblodh ditën e sotme, teksa pritet miratimi i raportit përfundimtar që pritet të votohet në Parlament.
Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri tha se është për shkarkimin e kreut të shtetit dhe iu kërkoi 55 deputetëve që votuan ngritjen e komisionit të mos e nxijnë faqen para shqiptarëve.
Ndërsa socialisti Alket Hyseni tha se mandati i këtij komisioni nga parlamenti nuk është për shkarkimin dhe se s’mund të marrë rolin e një gjykate.
“Raporti përfundimtar do të miratohet me vendim nga komisioni hetimor dhe do i prezantohet seancës plenare. Referuar dhe rendit të ditës është diskutimi mbi draft-raportin e komisionit hetimor dhe miratimin përfundimtar për seancën parlamentare”, u shpreh Manja.
Nga ana e tij Bashkim Fino tha se nuk ka struktura parlamentare për t’i vënë notë në sjellje Presidentit.
“Analiza jonë duhet të ketë në fokus atë që do kishte ndodhur jo atë që ka ndodhur. Tek pasoja e dëshiruar qëndron pasoja e rëndë, qëndron faji kushtetues. Kjo është analiza dhe interpretimi politik që duhet të bënte komisioni. Sot ky komision është mbledhur me një propozim për masë disiplinore, vërejtje me shkrim për shokun Ilir Meta. Jemi kundër shkarkimit të Presidentit madje duhet t’i kërkojmë dhe falje se mbase e kemi bezdisur këtë një vit. Ju ftoj të reflektojmë para se të votojmë në seancë”, deklaroi Fino.
Në vijim socialisti Alket Hyseni shtoi se “Nuk duhet të bërtasim se po shkarkojmë presidentin. Nuk është moment juridik për t’u krenuar. Unë kam pasur rezerva për Presidentin e Republikës dhe ndonjë nga shkeljet mund të ketë qenë e rëndë. Nuk jemi një gjykatë profesionale, ne bëjmë një analizë juridike të fakteve. Nëse do ishte Gjykata Kushtetuese debati do ishte më i lehtë. Do kishte një filtër tjetër. Por në mungesë të saj nuk duhet t’ia lëmë bindjeve tona. Është e faktuar tashmë që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Disa nga shkeljet përbëjnë elementë të plotë të shkeljes së rëndë”.
Sipas tij, për të mjafton shkelja e parimit të unitetit e sovranitetit, për sa kohë ekspertiza më e lartë referoi që dhe në mungesë të disa vakumeve nuk mund të tolerohen më shkelje të tilla.
/a.r