Opozita jashtëparlamentare thotë se marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preket.
I ftuar në emisionin ABC-ja e Mëngjesit nënkryetari i LSI Petrit Vasili, anëtar i Këshillit Politik deklaroi se do të kërkojnë në mbledhjen e sotme votimin e menjëhershëm dhe pa asnjë ndryshim të marrëveshjes së 5 qershorit.
Ai tha se ndërkombëtarët kanë qenë të qartë, duke theksuar se ata tashmë nuk janë më me Ramën por me interesin e Shqipërisë.
Vasili deklaroi se sistemet zgjedhore nuk mund të miratohen me gjysma, pra një pjesë e listave të hapura dhe një pjesë të mbyllura.
“Komisioneri për Zgjerim ka qenë shumë i qartë. Ka kërkuar që të votohet marrëveshja e 5 qershorit pa asnjë ndryshim. Ne kemi një parlament të njëanshëm që nuk ka çfarë flet.
Edi Rama nuk fiton më por asnjë lëshim nuk mund t’i bëhet Edi Ramës. 5 qershori janë rregulla të barabarta loje. I vetmi që nuk e lejoi depolitizimin ishte ai.
Në këtë mes bëhet fjalë për rregulla. Edi Rama ka vetëm 30 qershorin bosh që të fitojë lojën pa kundërshtar.
Ne e kemi bërë punën tonë si opozitë, por ndërgjegjësimi i ndërkombëtarëve për të njohur Ramën ka bërë një ndryshim. Ligjet nuk janë llastikë por dispozita të qarta. Sistemet zgjedhore nuk mund të bëhen me gjysma.
Ne kërkojmë të votohet marrëveshja e 5 qershorit. Ajo nuk preket. Kodi Elektoral është një i tërë dhe firmoset nga ata që kanë përfaqësuar partitë e tyre që në fillim. Shqipëria është një vend me anti-sistem. Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket”, tha Vasili.
Këshilli Politik do të mblidhet sot në orën 11:00. Kjo lëvizje erdhi me propozim të presidentit Ilir Meta duke arritur në dakordësinë e palëve. PS ka deklaruar se në tryezë përveç anëtarit të përhershëm Damian Gjiknuri, do të jetë edhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Ndërsa në radhët e opozitës krah Vasilit dhe Bylykbashit do të ulet edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Edhe opozita parlamentare do të vijë me dy përfaqësues, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi.
g.kosovari