Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend dhe në Kosovë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh se përshëndet vendosmërinë e mazhorancës dhe opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese, pasi sipas tij, heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe hapja e listave është e domosdoshme. Duke u ndalur tek roli i presidenti Ilir Meta, i cili ditët e fundit është protagonist duke iu bërë thirrje palëve politike që të reflektojnë dhe ulen në tryezën e diskutimeve, ish-kreu i SHISH theksoi se kreu i shtetit i ngjan më shumë kryetarit të LSI se sa atij që duhet të qëndrojë mbi palët sikundër është Presidenti i Republikës. Ndërkohë sa i takon faktit që kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi të jetë i pranishëm në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama, zoti Klosi u shpreh se shefi i selisë blu ka frikë të përballet me shefin e qeverisë, pasi është inferior ndaj tij. Ndërsa në lidhje me reformën në drejtësi, ish-kreu i SHISH nënvizoi faktin se janë të shumtë ata që duan ta sabotojnë atë, sidomos politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar.
-Zoti Klosi, pas një qetësie disa mujore, tensionet politike janë rikthyer. PS ka vendosur që të pranojë propozimet e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese. Si e shihni lëvizjen për të hapur listat dhe hequr koalicionet?
Hapja e listave dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore më pëlqen shumë dhe e mbështes. Por më lejoni të ndalem pak tek heqja e koalicioneve parazgjedhore që për mua mendoj se është gjë e mirë dhe e domosdoshme. Kjo pasi si të thuash heqja e tyre para zgjedhjeve jep një dijeni dhe na tregon neve si qytetarë vlerën dhe peshën e vërtetë të partive, të cilat në Shqipëri janë plot. Pra, në kushtet kur janë plot parti të vogla, qoftë në kampin e djathtë, qoftë në kampin e majtë që fshihen pas koalicioneve parazgjedhore dhe as e vrasin mendjen fare. Shefat apo kryetarët e partive të vogla kanë dalë deputetë sidomos nga listat e Partisë Demokratike dhe kjo më duket pak absurde. Kështu që gjatë këtyre 30 viteve kryetarët e partive të vogla janë kamufluar pas koalicioneve dhe dy partive të mëdha, ka ardhur koha që të heqin koalicionet parazgjedhore dhe t’i shohim njëherë këto parti të vogla se sa vlejnë. Pra, me heqjen e koalicioneve ne si qytetarë do të kemi mundësi të shikojmë realisht sa vlejnë edhe paritë e vogla pasi të jenë mbajtur zgjedhjet.
-Kjo lëvizje ka hasur në kundërshtimin e opozitës. Të jemi realistë heqja e koalicioneve i shërben PD dhe PS? Atëherë pse kundërshtohet nga demokratët apo është strategji për të mos prishur qejf me LSI?
Po është e vërtetë dhe në këtë pikë edhe unë mendoj se heqja e koalicioneve u shërben Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste si dy parti të mëdha. Por faktin që kjo gjë kundërshtohet nga demokratët e shoh si lodër politike dhe më shumë sikundër ju e keni cituar në pyetje edhe si strategji për të mos i prishur qejfin Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke qenë se kjo e fundit është në kampin opozitar. Mos harroni që PD dhe PS e kanë deklaruar me kohë që janë për lista të hapura dhe heqjen e koalicioneve, por tani që erdhi puna që të vendosin po tërhiqen, pra këtu e kam fjalën për Partinë Demokratike. Pra, këtu kemi të bëjmë me një lojë politike nga ana e PD dhe në mes janë edhe interesat. Mirëpo për sa kohë që gjithë populli ose pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë duan listat e hapura dhe rrjedhimisht edhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, ku në një farë mënyrë çdo votues nuk voton, por edhe kontribuon, pasi i jepet mundësia që të zgjedhë direkt deputetin që do ta përfaqësojë, mendoj se PD po bën lojën e LSI me faktin që është rreshtuar kundër dhe po bën “kryeneçen”. Kështu që mua më duket e drejtë hapja e listave dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe sipas meje, çdo lloj tentative për të kthyer mbrapsht këtë gjë që e mbështet opozita parlamentare dhe mazhoranca nga ana e Partisë Demokratike për t’i bërë qejfin Lëvizjes Socialiste për Integrim më duket absurde.
-E çuditshme është sjellja e presidentit. Edhe pse në këtë rast duhet të ishin palët politike që duhet të zgjidhnin mosmarrëveshjet, presidenti ka ndërhyrë dhe të jemi realistë është bërë palë me opozitën. Kemi dy takime me Bashën, ku një prej të cilëve në shtëpinë e presidentit. Si e shihni rolin e Metës dhe a është normale që një president të mos jetë i pavarur, por të mbajë krah politik?
Tani nuk e kuptoj pse më pyesni me një pyetje retorike që e di përgjigjen i madh dhe i vogël. Të gjithë e dimë që presidenti Ilir Meta gjithmonë është konsideruar që të qëndrojë mbi palët ose që qëndron në Presidencën për të garantuar popullin dhe Kushtetutën. Por në këtë rast presidenti Meta po luan rolin e kryetarit të partisë së tij (Lëvizjes Socialiste për Integrim). Kaq është e thjeshtë kjo punë për t’u kuptuar se Meta nuk po bën rolin e kreut të shtetit, por të një kryetari partie.
-Dikur ishte presidenti që sfidonte ndërkombëtarët dhe thoshte jemi shtet sovran, sot është kryeministri që deklaron se nuk do ketë pakte ambasadash dhe të gjithë duhet t’i binden Parlamentit për ndryshimet kushtetuese? Çfarë po ndodh? A po rrezikon PS të shkojë te skenarët e dikurshëm të Berishës, i cili në fund të mandatit pati përplasje të forta me ndërkombëtarët?
Jo! Absolutisht nuk e besoj që Partia Socialiste rrezikon të shkojë te skenarët e dikurshëm të Sali Berishës, i cili në fund të mandatit pati përplasje të forta me ndërkombëtarët. Problemi është se ndërkombëtarët po ngulin këmbë që të votohet marrëveshja e 5 qershorit dhe Edi Rama e mbështet këtë pakt fuqishëm. Por ai ka thënë që është në të mirë të popullit që marrëveshjet e mëdha të kalojnë nga aktorët vendas, në mënyrë që të tregojmë se edhe institucionet edhe partitë politike janë pjekur në Shqipëri dhe mund të bëjnë diçka edhe pa ndihmën e të huajve. Kaq. Rama nuk u ka shpallur luftë ndërkombëtarëve, thjesht ka kërkuar që politika vendase të jetë e shëndoshë dhe të reflektojë. Nga ana tjetër duke qenë se mazhoranca ka garantuar se do ta votojë marrëveshjen e 5 qershorit sikundër është, nuk do të thotë se hapja e listave do ta zhbënte atë. Pra, 5 qershori do të qëndrojë dhe hapja e listave është tjetër gjë. Por ndërkombëtarët kanë frikën në vend tjetër. Dhe në kushtet kur po kërkohet diçka tjetër si ndryshimet kushtetuese, diplomatët e huaj kanë frikë se mos gjëja kthehet sërish në pikën zero. Kështu që thirrjet e ndërkombëtarëve që votoni 5 qershorin nuk janë një sfidë kundër Ramës, pasi edhe vetë të huajt nuk janë kundër hapjes së listave dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore, por kanë frikë se palët shkojnë në pikën zero. Si përfundim ndërkombëtarët kanë eksperiencë me Shqipërinë dhe politikanët shqiptarë që “lënë xhenazen në rrugë” andaj dhe bëjnë presion që të votohet marrëveshja e 5 qershorit, jo se ata janë kundër hapjes së listave. Mirëpo, hapja e një problemi të ri, ngatërrohet me të vjetrin dhe Partia Demokratike nuk po e pëlqen këtë gjë, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim bën llogaritë e saj, sipas situatave konkrete. Por nga ana tjetër hapja e listave dhe ndryshimet kushtetuese që janë gjë e mirë nuk mund të bëhen sot për nesër. Dhe në këtë pikë duhen lënë mënjanë llogaritë e vogla të çastit dhe duhet parë për më lart.
-Palët kanë rënë dakord të ulen të hënë në tryezën e diskutimeve. Kryeministri ka hedhur si ide që duhet të takohen vetë liderët. A duhet të kemi një takim Rama-Basha, apo Rama-Basha-Meta për të zgjidhur gjithçka?
Mendoj se ideja e hedhur nga Edi është gjë e mirë. Por votat në Parlament Partia Socialiste dhe Partia Demokratike i kanë. Kështu që në këtë pikë unë do të isha që të kemi një tryezë diskutimesh treshe mes Ramës, Bashës dhe Metës. Pra duhet një takim tre palësh duke qenë se të tre këta janë përfaqësuesit e tre partive më të mëdha të vendit, ku Meta përveçse përfaqëson LSI-në është edhe presidenti i vendit, e kjo e bën pak më të veçantë atë. Si përfundim nuk them se prania e Metës është e domosdoshme, por është mirë dhe në dobi që të ketë diskutime të kësaj natyre përmes tre palëve. Kjo do të thotë se pa bisedim nuk zgjidhet gjë dhe po të ulen të tre në takim Rama-Basha-Meta do të ishte e dobishme dhe mirë.
-Basha e refuzon një tjetër takim. Në gjykimin tuaj pse? Dhe a fshihet dora e Berishës?
Unë nuk i di marrëdhëniet e brendshme në Partinë Demokratike, por mbase dhe ky fakt që ju pohoni është i vërtet. Nga kjo pikëpamje mendoj se fshihet edhe dora e Sali Berishës që Lulzim Basha refuzoi takimin me Edin. Por nga ana tjetër dua të theksoj dhe të shtoj se ka edhe një arsye tjetër që Basha refuzoi takimin, pasi ai i trembet Ramës. Basha ka eksperiencën e mëparshme të para tre viteve dhe i trembet një marrëveshje dhe takimi kaq të ngushtë. Kështu që një takim më i gjerë me më shumë aktorë do të ishte më i pranueshëm dhe do ta bënte më komod Lulin, pasi me Ramën ballë për ballë, Basha ka frikë se Edi ia hedh prapë. Ndërkohë edhe kryeministri duhet ta ketë parasysh faktin e të qenit inferior që është Basha.
-Një zhvillim i ditëve të fundit është se PS vendosi të mos e shkarkojë presidentin. Si e shihni këtë lëvizje? Kemi një pakt të fshehtë Rama-Meta, apo thjesht mazhoranca është e pafuqishme përballë presidentit?
Normal më duket vendimi i Partisë Socialiste për të mos shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra. Nuk e di nëse mund të ketë pakt, pasi Meta përditë po kthen ligje dhe bën paralajmërime. Kështu që nuk besoj se ka një pakt Rama-Meta. Por e quaj pozitive dhe nuk do të ishte mirë që të kishim një precedent sikundër është shkarkimi i kreut të shtetit, pasi edhe në botë kësisoj rastesh janë të pakta. Pra, nga kjo pikëpamje mendoj se mazhoranca bëri mirë që e “izoloi” Metën në Presidencë dhe duhet që këto gjëra të zgjidhen me diskutime dhe dialog, e jo me sherre dhe përplasje.
-Zgjedhjet janë afër. Palët kanë nisur që tani të përgatiten. Sa gjasa ka që PS-LSI të jenë bashkë pas këtyre zgjedhjeve, apo ka më shumë shanse për një bashkëqeverisje PS-PD? Vetë Basha tha se kishte marrë një ofertë që Rama të bëhej president dhe ai kryeministër.
Mendoj se njëra nga këto të dyja që keni cituar nuk qëndron. Por kjo do të varet gjithmonë nga rezultati i zgjedhjeve. Nëqoftëse koalicionet parazgjedhore nuk do të lejohen që unë jam për këtë që çdo parti të luftojë dhe të masë forcat e veta, mendoj se gjithçka do të vendoset pasi të dalë rezultati i zgjedhjeve. Kështu që e di populli se si do të shkojë bashkëqeverisja, por një bashkëqeverisje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike e shoh të vështirë që të ndodhë. Sa i takon një koalicioni mes PS dhe LSI edhe mundet.
-Si e shihni koalicionin PD-LSI. Dhe me lëvizjet e fundit a është Meta ai që drejton partinë, për të mos thënë dhe opozitën?
Patjetër dhe unë them që PO, Ilir Meta drejton Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nuk ka asnjë dyshim që edhe pse prej vitit 2017 është në krye të Presidencës, Meta nuk mund të ketë ndikim tek LSI. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se Meta drejton Lëvizjen Socialiste për Integrim, madje ka ndikim edhe mbi Opozitën e Bashkuar, pasi ai është lojtar i fortë. Por duke qenë se ai u zgjodh president dhe nuk mund të ishte kryetar partie, zgjodhi një rrugë tjetër për ta dominuar partinë që lindi e u krijua prej tij. Ndërkohë, sa u takon raporteve mes PD dhe LSI mendoj se është një koalicion i brishtë.
-Një tjetër pikë e rëndësishme është reforma në drejtësi. Kushtetuesja u bllokua sërish pasi të gjithë kandidatët u skualifkuan. Gjykata e Lartë mbeti me 3 anëtarë. Byroja e Hetimit nuk po ngrihet. A mendoni se politika po punon nën rrogoz kundër reformës?
Patjetër që politika po punon nën rrogoz kundër reformës në drejtësi dhe kjo madje ka qenë një ide e vjetër. Por nga ana ime dhe duke qenë se unë jam pak larg politikës, pasi nuk jam brenda saj, dua të theksoj se nëqoftëse skualifikohen gjykatës nuk shoh dorën e politikës, pasi është një gjë pozitive. Madje, e kundërta është që politika çon emra të saj edhe pse nuk i plotësojnë kriteret për t’i katapultuar në këto institucione. Pra, politika do të donte që ajo të kishte njerëzit e vetë atje, por skualifikimi nuk ua lejon këtë gjë. Kështu që do të kërkohen kandidatura të tjera, edhe pse unë mendoj se politika po lëviz gurët. Mirëpo gjithë problemi i madh është se juristët apo gjykatësit janë ata që janë, ata që kanë qenë edhe para se të fillonte reforma në drejtësi. Ne asokohe e thamë që reforma në drejtësi është e nevojshme dhe ky staf para se të miratohej ajo nuk e kanë justifikuar veten e tyre në sistem pasi kanë qenë të korruptuar apo edhe të paaftë. Pra, është e vështirë mesa duket që të gjesh njerëz që plotësojnë kriteret, prandaj edhe kandidatët skulifikohen. Kjo është reforma në drejtësi dhe nuk çuditem që po skulifikohen.
-Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim hodhi dyshime për një puç kundër reformës. A janë të shumë ata që nuk e duan?
Së pari dyshimet apo deklaratat e artikuluara nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim se po tentohet të hidhet në erë apo sabotohet reforma në drejtësi qëndron. Së dyti janë dy kategori që nuk e duan reformën në drejtësi dhe po punojnë nën rrogoz që t’i bëjnë puç asaj. Pra mendoj se janë shumë ata që nuk e duan reformën në drejtësi. E para është gjithë stafi i sistemit të drejtësisë që nuk e do reformën dhe çuarjen përpara të saj. Kështu që duke qenë se gjithë stafi i drejtësisë është kritikuar dhe pjesë të saj kanë qenë njerëz të korruptuar, kjo edhe për faktin se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka qenë më i korruptuari, ata po mundohen ta sabotojnë, pasi e shikojnë që laku po ngushtohet dhe nuk do të jetë më si më parë. Dhe mos e harroni që këtë fakt e di edhe populli që është përballur në dyert e gjykatave dhe prokurorive dhe ka paguar para e ryshfete. Pra, nuk çuditem që po tentohet t’i bëhet puç reformës në drejtësi nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër po bëjnë të pamundurën që ta sabotojnë atë. Ndërkohë kategoria tjetër që nuk e duan dhe i tremben reformës në drejtësi janë politikanët. Mirëpo, reforma në drejtësi është bërë si fillim për gjykatësit dhe prokurorët, kjo pasi sistemi i drejtësisë ishte më i korruptuari. Prandaj të gjendur përballë këtij fenomeni që ishte kthyer sistemi u vendos të bëhej reforma që të pastrohej njëherë sistemi i drejtësisë nga të korruptuarit. Dhe me pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, darët e ligjit kalojnë tek politikanët, të cilët janë të lemerisur nga reforma, pasi do të japin llogari. Si përfundim dua të theksoj se këto janë dy kategoritë që duan t’i bëjnë puç reformës në drejtësi.
-A do ja dalin amerikanët të mos lejojnë dështimin e reformës dhe a do e përmbushë qëllimin kjo reformë: Atë të arrestimeve në nivel politik?
Absolutisht që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian nuk do ta lejojnë dështimin e reformës në drejtësi. Por nga ana tjetër dua të theksoj se nuk është shenjë e ecurisë së reformës në drejtësi arrestimet e bujshme apo në nivel politik. Mirë do të ishte që të shikonim arrestime të bujshme, pasi është tregues i qenësishëm dhe ishalla bëhen arrestime “VIP”. Mirëpo e rëndësishme është që të ngrihen dhe funksionojnë institucionet. Të ngrihet Gjykata Kushtetuese, Byroja Kombëtare e Hetimit, etj. Madje ngritja dhe funksionimi i Kushtetueses është më e domosdoshmja, pasi ka shumë probleme që kanë mbetur hapur dhe duan zgjidhje. Nga ana tjetër duhet të ngrihet dhe funksionojë Gjykata e Lartë për t’iu dhënë zgjidhje shumë problemeve që i kanë deleguar dy gjykatat e shkallëve të mëposhtme. Pra problemi është që të lëvizin dhe të ngrihen institucionet. Pastaj në kuadër të reformës çdo institucion është i “dënuar” t’i japë zgjidhje problemit dhe këtu kam parasysh hetimet dhe çuarjen para drejtësisë të kastës së të korruptuarve. Kjo do të thotë se me ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë, nis të marrë fund edhe pandëshkueshmëria pasi nuk ka më lojëra dhe zvarritje. Domethënë në kushtet që do të ketë filtra për gjykatësit dhe prokurorët e rinj, natyrshëm do të vijnë edhe arrestimet e bujshme. Por unë nuk e quaj të domosdoshme që se kush “peshk i madh” u arrestua. E domosdoshme është që institucionet e drejtësisë të hyjnë në shina dhe të nisin të funksionojnë institucionet.
-Për ta mbyllur, një pyetje për zhvillimet në Kosovë. Si i shihni akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit Thaçi?
Tani unë akoma nuk i di kush janë akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Unë e kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj se kjo për mendimin tim është një akuzë e nisur në kuadrin e tentativave për vënë në të njëjtin nivel si agresorët serb, ashtu edhe mbrojtësit e popullit të Kosovës që në këtë rast janë presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK, Kadri Veseli, etj. Dhe kjo më duket absurde. Por po hyj në temë dhe të bëj një analizë të shkurtër që të thuash apo akuzosh dikë për krime lufte. Lind pyetja se kush i ka bërë? Kush është ekzekutuesi. Pastaj krime kundër njerëzimit është një shprehje shumë e rëndë dhe nuk besoj se presidenti Hashim Thaçi të jetë i përfshirë. Unë e kam njohur dhe kam bashkëpunuar edhe para, gjatë dhe pas luftës me presidentin Thaçi dhe nuk më ka vajtur kurrë mendja që UÇK të ketë bërë krime, sidomos kur u fol që janë bërë krime në territorin shqiptar. Por pashë edhe zotin Thaçi pas katër ditësh intervistimi në Hagë që ishte i qetë dhe normal, madje në pozicionin e përhershëm. Kështu që nuk e shoh të përfshirë Thaçin dhe nuk besoj që UÇK ka bërë krime.