Frika e një rishpërthimi të koronavirusit në rajonin e tij ka bërë që guvernatori i Toscana në Itali, Enrico Rossi të kërkojë nga qeveria ndërhyrje të shpejtë dhe bllokimin e fluturimeve me vendin tonë.
Frika është e lidhur me të dhënat e regjistruara në orët e fundit ku janë regjistruar 16 raste të reja me të infektuar, 14 prej të cilëve ishin jo italianë, 13 nga Tirana (Shqipëri) dhe një nga Ekuador, raportojnë mediat italiane.
Ai ka kërkuar që të rishikohet jo vetëm “trafiku intensiv ajror që po prek aktualisht terminalet e Pizës dhe Firencës, por edhe ardhjen në Toscana të pasagjerëve që zbresin në Itali nga aeroportet e tjera”, shkruan ilgiornale.it.
“Qeveria duhet të ndërhyjë, në veçanti ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë. Nëse gjurmimi i pasagjerëve dhe mbikëqyrja aktive e tyre nuk është e mundur, do të ketë vetëm një mundësi: bllokimin direkt të fluturimeve”, ka kërcënuar guvernatori Rossi.
Mësohet se Rossi ka kontaktuar konsullatat e Perusë, Bangladeshit dhe Shqipërisë, dhe atyre shteteve nga të cilat janë regjistruar numri më i madh i pacientëve me koronavirus në Toscana nga 13 korriku.
Kërkesa e tij ishte të kishin komunikimin me udhëtarët që po përgatiten të shkojnë në Itali, rreth kushteve që duhen respektuar për të gjithë ata që vijnë nga zona jo-Shengen, duke perfshire edhe një karantinë te detyrueshme 14-ditore sapo mberrijne ne Itali.
g.kosovari