Forcat speciale të policisë së Malit nisën sulmin në hotelin ”Radisson Blu” të Bamakos, i kthyer në arenë sulmesh dhe pengmarrjesh, duke bërë të mundur lirimin e dhjetëra personave, tha për median zëdhënësi i Ministrisë së Sigurisë së Brendshme të Malit.
“Tri pengje janë vrarë”, njoftoi ky zëdhënës, duke saktësuar se kombësitë e viktimave nuk ishin identifikuar ende.
“Kundërpërgjigjia e forcave speciale po vijon ende, ata kanë bërë të mundur lirimin e dhjetëra personave”, deklaroi ai duke vlerësuar se në ndërtesë ndodheshin dy ose tre agresorë.
Media afrikane njofton se në vendngjarje ka patur edhe forca speciale amerikane.
Të shtënat me automatik nisën brenda hotelit me 190 dhoma, 90 për qind të të cilave janë aktualisht të zëna. “Po ndodh në katin e shtatë, xhihadistët po shtijnë në korridor”, tha një burim i sigurisë, i cili shtoi se sulmuesit e nisën me thirrjet “Allahu Akbar”.
Sipas një zëdhënësi të hotelit, cituar nga NBC News, terroristët mbajtën peng 170 persona, 140 klientë e 30 anëtarë të stafit, ndërkohë që janë liruar ata që citoin Kuranin.
Policia ka izoluar zonën rreth hotelit, duke krijuar një perimetër sigurie. Numri i terroristëve është dhjetë. Sipas “Jeune Afrique”, tre terroristë i janë afruar hotelit me një makinë të trupit diplomatik. Ambasada amerikane u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë, përfshirë stafin e saj, të shkojnë në vende të sigurta.
Lidhjet me Francën
Hoteli frekuentohet nga diplomatë dhe afaristë të huaj dhe mund të jetë shndërruar në objektiv pasi midis klientëve ka shumë francezë. Trupat franceze janë të pranishme në vend që nga janari 2013 dhe vetë presidenti François Hollande iu referua Malit në fjalimin e djeshëm. Në 2013, Franca ndihmoi Malin të arrinte një fitore dhe “terroristë e dinë, për këtë arsye na konsiderojnë armiq”, shpjegoi Hollande, duke shtuar se “terroristët më 2012 sulmuan kulturën e Malit, shkatërruan simbolet e kulturës, gratë u nënshtruan, burrat u poshtëruan. Francës iu desh të merrte përgjegjësitë e saj për të çuar përpara aksione të rëndësishme”.
Më 7 mars, një atentat në një bar-restorant në Bamako kishte vrarë pesë njerëz, ndër ta një francez e një belg, dhe plagosi tetë të tjerë. Në pranverë 2012 Mali ra nën kontrollin e grupeve xhihadiste të Al Qaedës, pas përleshjeve midis ushtrisë dhe grupeve rebele.
Të përzënë kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Francës më 2013, rebelët mbeten në zona të tëra jashtë kontrollit të forcave të Malit dhe të forcave ndërkombëtare të sigurisë.