Në Kosovë vijon situata e vështirë epidemike teksa numrat me koronavirus vazhdojnë të rriten. Virusi ka arritur të prekë edhe politikanë të vendit.
Pak ditë më vonë se konfirmimi i Isa Mustafës me koronavirus tashmë është prekur dhe një tjetër deputet. Bëhet fjalë për deputetin e PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri në Facebook ka shkruar se përveç simptomave të zakonshme nuk ka ndonjë vështirësi tjetër të theksuar.
“Përkundër faktit se jam përpjekur të jem i kujdesshëm, duke mos anashkaluar rekomandimet, dua t’ju njoftoj se pas testimit për COVID-19, kam rezultuar pozitiv. Aktualisht, jam mirë dhe përveç simptomave të zakonshme, nuk kam ndonjë vështirësi të theksuar në përballimin e virusit. Gjatë kësaj periudhe të vetë-izolimit, do t’u përmbahem rekomandimeve të OBSH-së dhe mjekëve tanë. Ju ftoj edhe juve t’u përmbaheni rekomandimeve për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe njerëzve të afërt në këtë periudhë aspak të lehtë në të cilën po kalojmë si vend”, ka shkruar ai.
/e.rr