Kosova ka shtyrë për një kohë të tjetër vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kryeministri Avdullah Hoti, duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, bëri të ditur se fillimisht është vendosur të merren disa masa shtesë të detyrueshme për t’u zbatuar nga qytetarët e Kosovës, por duke lënë të hapur mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në bazë të vlerësimit në vijimësi të situatës.
Kryeministri Hoti informoi se qeveria do të miratojë një sërë masash të tjera shtesë që janë propozuar nga ekspertët e institucioneve të shëndetësisë.
“Masat shtesë do të jenë më shumë rigorozitet për ato që kemi marrë më herët, maska, distancë, higjiena. Është e papranueshme që të zhvillohen dasma e ahengje”.
Gjithashtu do të ndalohen edhe aktivitetet fetare dhe tubimet politike.
Institucionet shëndetësore kosovare janë në limitet e kapaciteteve të tyre për trajtimin e të infektuarve me Covid, ndërsa në ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i rasteve të reja.
/a.r