Ministria e Financave dhe Ekonomisë si dhe ajo e Bujqësisë kanë performuar më mirë nga të gjitha ministritë e tjera gjatë vitit 2019, duke kapur një total pikësh prej 52 secila nga 72 pikë gjithsej. Raporti i auditimit i publikuar së fundmi nga Ministria e Financave, i zbardhur nga TV SCAN, ka listuar ministritë e linjës sipas treguesve të performancës, ky dy të mësipërmet rezultojnë në përmirësim krahasuar me vitin 2018. Më pas renditet Ministria e Brendshme, e Arsimit, Kulturës, Turizmit dhe Mbrojtjes.
Ndërsa në 4 vendet e fundit renditen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka përkeqësuar performancën në krahasim me vitin 2018, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e ndjekur nga ajo e Drejtësisë, ndërsa listën e mbyll Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me 41 pikë dhe në përkeqësim. Rankimi është bërë duke analizuar në total 18 tregues të performancës, si realizimi i shpenzimeve buxhetore, reduktimi i nivelit të detyrimeve të prapambetura; realizimi i shpenzimeve kapitale, numri i urdhër prokurimeve të paautorizuara, etj. /Scan