Policia italiane ka arrestuar 5 shqiptarë, nën akuzën se kanë furnizuar tregun e Ternit me lëndë narkotike.
Banda akuzohet gjithashtu se ka zhvilluar tregti droge brenda Italisë, duke dërguar lëndën narkotike edhe në drejtim të qyteteve veriore të shtetit fqinj, raportojnë mediat italiane.
Operacioni u titullia “Karantina”, duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e hetimeve janë zhvilluar gjatë kohës së mbylljes të njerëzve nëpër shtëpi, për shkak të koronavirusit.
Gjykatësit në Terni kanë vendosur burgosjen e pesë shqiptarëve nën akuzën e trafikut të drogës. Të arrestuarit akuzohen se kanë furnizuar tregun e Ternit me rreth 3 kilogramë kokainë, në një kohë më pak se dy javë, duke shitur 1 kg lëndë narkotike vetëm në një javë.
Hetimet, të koordinuara nga prokurorët lokalë italianë kanë nisur, pas arrestimit në mars të një shqiptari që po shiste 500 gram kokainë me doza të ndara, e që në momentit e arrestit i kanë gjetur edhe 14 mijë euro të gatshme.
Pesë prej bashkatdhetarëve të tij, sipas hetuesve, e blenë drogën në veri të Italisë dhe e paketuan në një vend të një shtëpie të marrë me qira në Collescipoli. Pesë të arrestuarit u burgosën në burgun e Sabbione.
/e.rr