Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Grupit të PS-Së, Taulant Balla bën të ditur se maxhoranca do të mbështesë nismën e deputetëve të opozitës së re, Myslim Murrizit dhe 29 deputetëve për të ndryshuar Kushtetuan dhe për të vendosur listat e hapura në zgjedhjet e ardhshme.
Në një komunikim me gazetarët Rama tha se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse.
“Kemi vendosur të mbështesim një hapje të listave, që cdo zgjedhës të zgjedhë subjektin dhe të shpresë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë.
Vendimi reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse dhe përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe më komode për një parti të madhe.
Por edhe për mua si kryetari i partisë, që në këtë rast duhet t’u jap të gjithëve jo me fjalë por me faktin e hapjes së listave mesazhin se asnjëherë nuk ka qenë për mua prioriteti komoditeti im, por që PS-ja të reflektojë.
E di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë ka qenë e shprehur vazhdimisht depolitizimi i administratës zgjedhore“, tha Edi Rama.
Ndërkohë kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh se shumica mbështet hapjen e listave, por kjo është nismë nuk prek draftin e marrëveshjes së 5 qershorit me PD-LSI.
“Na rezulton se shqiptarët duan që të shprehin një votë jo vetëm për kryetarin e partisë, por edhe një votë për njërin për kandidatët në listën e secilës prej partive që marrin pjesë në zgjedhje. Ne e mbështesim në parim nismën e deputetëve të opozitës parlamentare.
Ky është një hap i rëndësishëm për një demokratizim më të plotë të jetës politike në vend. PS-ja ka qenë refleksion i asaj që do shumica dhe në këtë këndvështrim, mbështesim një hapje të listave, që mund të garantojë garancitë e përfaqësimit të drejtë gjinor, që të mos kemi vetëm burra në parlament.
Procesi për hapjen e listave ecën në mënyrë të pavarur nga drafti i 5 qershorit. Në kodin zgjedhor është depozituar në 1 korrik, në 15 korrik komisioni i ligjeve do i diskutojë dhe nuk do të preket asnjë prej atyre. Janë dy procese që ecin në mënyrë të pavarur nga njëra tjera“, tha Balla.
n