Prokuroria pushon çështjen penale për Gjergj Cukalin, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të 2019.
Cukali qëndroi disa muaj në burg, por Apeli e liroi pasi konsideroi të papërdorshme analizën e ADN.
Pas rrëzimit të provës shkencore prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin në krim.
Vendimarrja e prokurorisë pritet të kontrollohet nga gjykatësi paraprak.
Por kush është Gjergj Cukali?
Në fillim të muajit shkurt Operacioni “Forca e Ligjit”, i njohur edhe si ligji “Anti-KÇK”, i kërkoi të fortit të rrugës “Myslym Shyri” të deklaronte pasurinë. Ai është arrestuar më herët nga drejtësia shqiptare për trafik droge, por edhe si autori i vrasjes së ish-efektivit të policisë Arben Bilali, ngjarje për të cilën u lirua pas disa muajsh.
Por, ngjarja më e bujshme, me protagonist Gjergj Cukalin, është ajo e pengmarrjes së shtetasit Fatjon Demirlika, në vitin 2004, për një konflikt për 100 mijë euro. Për herë të fundit ai u arrestua në 12 Prill 2018, pasi kishte shkelur masën e sigurisë, “arrest shtëpie”. Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004.
Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.
Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilat u akuzua Gjergji Cukali. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro. Ndërkohë që ai mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, problemet e të riut me policinë nuk kanë mbaruar. Më 20 gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Cukali, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tij është bërë asokohe pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
Nderkohe ne korrik te vitit 2016, policia finalizoi nje aksion pas hetimeve te prokurorise për grupin e Gjergj Cukalit. Gjatë hetimit për personat shpërndarës të drogës u konstatua se furnitori i tyre ishte Gjergj Cukali.
g.kosovari