Kreu i BDI, Ali Ahmeti i ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24, ka thënë se ëndrra e tij për të realizuar bashkimin e shqiptarëve mund të realizohet vetëm nëpërmjet anëtarësimit në BE.
Ahmeti thotë se fillimisht hapat e tij ishin për trungun amë Shqipërinë, për të cilin besonte se viset e tij që sot janë në Maqedoninë e Veriut u ndanë padrejtësisht. Po sipas Ahmetit, gjërat ndryshuan pas vitit ’90, dhe të gjitha ngjarjet që rodhën pas.
Tashmë ai sheh mundësinë e vetme për bashkim të shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi apo Serbisë, nën flamurin e BE por edhe të NATO-s.
”PYETJA: Keni qenë gjithmonë pro që shqiptarët të jenë pjesë e shtetit të Maqedonisë dje, Maqedonisë së Veriut sot, si e shihni perspektivën e shqiptarëve bashkë?
Mua më duket që , nëse arrij të justifikohem me zhvillimet aktuale, nuk do isha i natyrshëm. Hapat e para të frymëzimit dhe edukimit, por edhe bindja ime është që shqiptarët janë ndarë. Hapat e parë janë për Shqipërinë. Padrejtësisht ky vend i është ndarë trungut amë. Po të thoja ndryshe, për hir të situatave, nuk do isha i vërteti. Fillimet e viteve ’90, ndryshuan ngjarjet. Ra muri i Berlinit, lindër lëvizjet legale, të asaj kohe, filloi lufta e Kosovës. Kjo e fundit përfshiu gjithë viset shqiptare. U reflektua tek ne që bashkësia ndërkombëtare ka reflektuar për gabimet ndaj shqiptarëve. Dhe këto u bënë me pavarësinë e Kosovës, përkrahjen ndaj saj, që u përball me një gjenocid të paparë. Por edhe në 2001, si u duk gjendja, UÇK u mbështet dhe ndërhyu NATO për të zgjidhur situatën, të cilës i jemi mirënjohës.
Tani, këtu kaloni dhe ju duket sikur je në mëmdhe. Gjërat kanë ndryshuar. Por tani ëndrrat I shoh që do realizohen me anëtarësimin në BE, të gjithë nën një flamur, BE dhe NATO.”- tha Ahmeti.