Nga Mero Baze
Kryeministri Edi Rama është shprehur për herë të parë publikisht rreth fatit të reformës zgjedhore, duke e lënë opsionale mundësinë e ndryshimeve të propozuara nga opozita parlamentare. Qëndrimi i tij bazik, është ruajtja e marrëveshjes së firmosur me partitë opozitare jashtë Parlamentit, por nuk përjashton mundësinë që të bëhen ndryshimet e propozuara për lista të hapura, që mund të çojnë në heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Këtë qëndrim ai e ka mbajtur dhe gjatë takimit me krerët e lëvizjes opozitare parlamentare, kryesuar nga Murrizi.
Beteja për ndryshimet kushtetuese rreth reformës zgjedhore, është kundërshtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, duke lënë të kuptohet se nuk do ta pranojnë dhe nuk do ta njohin.
Disa aleatë të tyre, si Mediu, kanë kërcënuar me mos futje në zgjedhje, por Mediu nuk merret seriozisht në këtë pikë, pasi nuk ka marrë kurrë pjesë në zgjedhje si republikan, por në listë të PD-së.
Në gjithë këtë debat, përgjegjësia e fjalës është tek kryeministri i vendit. Ai është faktor vendimtar nëse këto ndryshime do të bëhen, apo nuk do të bëhen.
Nëse ai thotë do të bëhen, ai i ka gati votat e opozitës parlamentare dhe ato bëhen.
Përgjegjësia rreth hapjes së këtij debati, në të vërtetë ka një peshë më të madhe elektorale, se vetë debati.
Nëse Edi Rama e hap këtë debat dhe e lë fakultativ, si ti dalë rrugës, Partia Socialiste dëmtohet rëndë, pasi konsiderohet si e mposhtur nga kërcënimet, duke vënë në pikëpyetje fuqinë e saj elektorale në zgjedhjet e vitit që vjen.
Nëse ka një gjë që e mban sot në këmbë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, është vendosmëria me të cilën shkuan drejt 30 qershorit dhe bënë atë që thanë.
Shumë deputetë dhe drejtues politikë të Partisë Socialiste nuk kanë besuar tek 30 qershori dhe vetëm javën e fundit, kur gjithçka po shkonte drejt zgjedhjeve, filluan të besojnë se po bëheshin zgjedhjet.
Kjo vinte nga fakti, se gjithmonë ekziston paranoja, që Edi Rama në minutat e fundit bën një pazar me Lulzim Bashën dhe i lë të gjithë pa fjalë.
Rasti i tanishëm është i ngjashëm. Shumica e shqiptarëve duan listat e hapura dhe ndryshime në sistem, jo se kjo gjë do të bëjë çudinë e madhe, por se janë të bindur që kjo është një pengesë për ndryshimet politike në Shqipëri.
Më parë këtë e kanë pas kërkuar dhe disa OJF afër PD, por tani me sa duket janë më dakord me PD, se sa me opinionin publik për këtë çështje.
Në çdo sondazh që është bërë dhe nga kushdo që është bërë, nevoja për hapjen e listave ka një mbështetje që shkon nga 75 për qind në 95 për qind. Tani ta nisësh këtë operacion, ta hapësh këtë debat dhe ta lësh me pikëpyetje, do të thotë të marrësh në shpinë, gjithë kundërshtinë e këtij opinioni publik.
Ndaj Edi Rama duhet të jetë i përgjegjshëm dhe i qartë tani që e ka çelur këtë debat. Çdo tërheqje do të jetë kosto për të. Ai duhet ta çojë deri në fund, duke e votuar në Parlament marrëveshjen që ka nënshkruar me Lulzim Bashën dhe propozimet për ndryshime kushtetuese të opozitës parlamentare.
Votat e socialistëve duhet të jenë të plota për të dyja propozimet. Vetëm kështu ata nuk marrin kosto nga ky debat brenda opozitës. Çdo tërheqje e Edi Ramës nga ky zhvillim, do të ketë peshën e njëjtë që do të kishte tërheqja e mundshme e Edi Ramës nga 30 qershori.
Nëse PD dhe opozita jashtë Parlamentit, tërhiqen pas kësaj, nga marrëveshja e tyre me ndërmejtësinë e SHBA, atëhere PS të votojë fjalë për fjalë rekomandimet e OSBE/ODHIR, që propozojnë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.
Kështu së paku dhe opozita parlamentare fiton një kërkesë të saj. Pastaj PD le të bëjë si ta mendojë për të hyrë në zgjedhje. I ka të freskëta “fitoret” me këtë metodë.