Nga Alfred Peza
Ka një ristartim të vrullshëm të lidershipit Europian, për nxitjen e dialogut Kosovë- Serbi, pas dështimit të takimit të 27 Qershorit në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Ambasadorit Richard Grenell. Tregues është njoftimi për rifillimi i bisedimeve mes Kryeministrit Avdullah Hoti dhe Presidentit Alekandër Vuçiç, me ndërmjetësinë e BE, që pritet të nisë këtë javë.
Rizgjimi i Europës ka ardhur pak ditë pasi zyra e Prokurorit Special të Hagës njoftoi ngritjen e akuzave për Presidentin Hashim Thaçi dhe ish Kryeparlamentarit Kadri Veseli për periudhën kur kanë drejtuar luftën e UÇK për lirinë e Kosovës. Duke krijuar përshtypjen se fokusi i BE për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, më shumë sesa një objektiv parësor i saj, është refleks i garës “inatçore” diplomatike me SHBA për ndikim në proceset e Ballkanit Perendimor.
Gjatë kësaj jave ka tri zhvillime të rëndësishme:
Së pari, të martën e 7 korrikut, Presidenti Macron pret në Pallatin Elize në Paris, Kryeministrin Hoti. Zyra e shefit të qeverisë në Prishtinë, komentoi se kjo tregon përkushtimin e Francës për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Së dyti, të premten më 10 korrik mbahet në Paris samiti virtual nga Presidenti Macron dhe Kancelarja gjermane Merkel, me temë dialogun Kosovë- Serbi. Marin pjesë Kryeministri Hoti e Presidenti Vuçiç, shefi i politikës së jashtme të BE, Borell dhe përfaqësuesi special i BE për Ballkanin Perendimor, Lajçak.
Së treti, të dielën më 12 korrik zhvillohet takimi mes Kryeministrit të Kosovës e Presidentit të Serbisë, të organizuar nga përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian.
Siç shihet, kur do Europa ajo që nuk u bë me javë e muaj të tërë, pritet të realizohet brenda 5 ditëve të kësaj jave. Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë për të nxitur zgjidhjen e një çështje të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë diplomacinë ndërkombëtare. Ndaj rinisja e dialogut Kosovë- Serbi është një lajm i mirë për të gjithë.
Nuk është hera e parë që BE e mer këtë rol mes Prishtinës dhe Beogradit. Sikundër SHBA nuk ka hequr dorë, pavarësisht asaj që ndodhi. Ambasadori Grenell ka njoftuar realizimin e një takimi, sërisht në Shtëpinë e Bardhë, pa konfirmuar ende datën e re. Në rinisje të këtij procesi, Kosova do të përfaqësohet për herë të parë në bisedime, jo më nga Hashim Thaçi por nga Kryeministri i ri Avdullah Hoti.
Pala kosovare është në pozita të pabarabarta në këtë proces. Që ai të balancohet dhe BE ta ruajë protagonizmin e rizgjuar pas dështimit të takimit të 27 qershorit në SHBA, mjafton që Brukseli të ndërmarë me guxim disa hapa jetikë për Kosovën dhe të ardhmen e Ballkanit Perendimor.
1.- Të liberalizojë sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës, duke e hequr në këtë mënyrë njollën e zezë të izolimit për shtetin më të ri të Europës.
2.- Të negociojë dhe të “detyrojë” pesë shtetet e vet anëtare të BE: Greqinë, Qipron, Rumaninë, Spanjën dhe Sllovakinë që ta njohin shtetin e Kosovës. Pa këto njohje, procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE është thjeshtë një përrallë!
3.- SHBA dhe BE të angazhohen sëbashku për të nxitur sa më parë, procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, siç ka ndodhur edhe me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, vitet e fundit.
Pa këto tri hapa të rëndësishëm, protagonizmi i ri Europian për nxitjen e dialogut Kosovë- Serbi, do të jetë thjeshtë një lojë e re e rivalitetit të vjetër me SHBA, por jo një lidership real për zgjidhjen e halleve konkrete në Ballkan.