Një ndër destinacionet turistike më tërheqëse të viteve të fundit është Rruga Egnatia që niste nga Durrësi dhe përfundonte në Kostandinopojë. Tv Klan u ndal në 2 nga 3 kalatë të cilat kalon kjo rrugë në Shqipëri, në Peqin dhe Elbasan.
Kalaja e Peqinit u ndërtua nga arkitektë romakë. Ajo përbënte ndalesën e parë pas Dyrrahut si një fortesë që kishte për detyrë të ruante vijën Egnatia. Gjendja e saj sot është e mjerueshme, e lënë pas dore dhe pa asnjë investim.
“Duhet mbështetje, edhe mbështetje financiare. Kalaja flet vetë, flet për historinë”, tha Genc Gripshi, studiues dhe historian.
Ndërsa kalaja e Elbasanit që i takon shekullit të 3-të ishte kthyer në një destinacion turistik historik gjatë viteve të fundit.
Këtu janë kryer disa investime, por gjithsesi ka ende probleme. Për shkak të pandemisë ky lloj turizmi është goditur edhe në këtë qytet.
“Sivjet për shkak të virusit nuk ka shumë turistë”, tha Luan Hysa.
“Shoh një shterje të jashtëzakonshme të gjithë turistëve që vinin nga të gjitha anët e botës. Tani kalaja ka mbetur e vetmuar”, tha Bektash Sula.
Pavarësisht situatës së krijuar, rruga Egnatia, kalatë dhe stacionet e saj nga Durrësi deri në Qafëthanë mbeten destinacion i rëndësishëm turistik i së ardhmes.
Duhet thënë që kalaja e Elbasanit është rindërtuar nga Sulltan Mehmeti dhe ka disa të veçanta. Ndryshe nga sa u tha në një intervistë të një zyrtari të Ministrisë së Kulturës para pak ditësh ku shprehej se kalaja e Vilë Boshtovës është kalaja më e madhe fushore. Unë e them me bindje se kalaja e Elbasanit është kalaja më e madhe fushore në Ballkan. Pavarësisht që i kanë mbetur vetëm muret e skajit jugor, kalaja e Elbasanit ka patur plot 26 kulla. E veçanta tjetër është se është ndërtuar në një kohë rekord. Sulltan Mehmeti donte të afronte ushtrinë e tij që ta kishte sa më afër në rrethimin e tretë të Krujës dhe rindërtoi kalanë në Elbasan për 25 ditë. Morën pjesë në këtë rindërtim rreth 125 mijë njerëz. Është e vetmja kala e banuar totalisht edhe sot e kësaj dite. (Kalaja Beratit gjithashtu, por jo totalisht).