Në përkujtim të 76-vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, në Izmir të Turqisë janë organizuar shoqatat shqiptare. Ata kanë vendosur kurorë të zezë para konsullatës greke në kordon në Izmir.
Gjatë fjalës së tij Kryetari i shoqatës për Kulturë Shqiptare Alaçatı-Çeşme, Ibrahim Topalli u shpreh se: “Ne jemi me origjinë shqiptarë, nënshtetas e qytetarë të Republikës së Turqisë që jetojmë në qytete të ndryshme të Turqisë. Ne jemi shqiptarë nga Shqipëria, nga Shkodra, nga Çamëria, nga Janina, nga Kosova, nga Presheva, nga Plava e Gucia, nga Ilirida, nga Manastiri, të dëbuar të internuar e të shpërngulur nga trojet tona etnike. Ne jemi elemente thelbësore dhe qytetarë besnikë të këtij vendi dhe themeluesve të Republikës së Turqisë, që neve na përqafoi në ditët e vështira.
Sigurisht që tani e tutje ne do të kujtojmë më shumë Çamërinë, dhe do ta përmendim edhe më shumë. Meqenëse ekziston një “Komunitet Çam” shumë i madh dhe që jeton këtu në vendin tonë, ne do ta sjellim në axhendë edhe më shumë gjenocidin çam. Ne do të kërkojmë të drejtat e bashkëqytetarëve tanë dhe fëmijëve të tyre, që i janë nënshtruar gjenocidit në Çamëri. Ne do të punojmë edhe më shumë ta sjellim në axhendën e aktualitetit ndërkombëtar gjenocidin që populli shqiptar çam pësoi nga Greqia.
Ne i bëjmë thirrje botës Shqiptare, nga perla e Egjeut, nga Izmiri. Shqiptarët e Çamërisë duhet të marrin të drejtat e tyre. Në këtë mënyrë ju arbëreshët e Italisë dhe ju arvanitët e Greqisë ejani në ndihmë të shqiptarëve të Turqisë dhe na ndihmoni në këtë drejtim. Ju lutemi mbështesni përpjekjet tona paqësore që të përmbushet drejtësia”.
Në përfundim të aktivitetit përfaqësuesit e shoqatave shqiptare lanë një kurorë të zezë para konsullatës greke në Kordon, Izmir, Turqi me mbishkrimin “Çamërinë nuk e harruam”