Nga Çapajev Gjokutaj
Kufoma e një vajze të re është mbajtur në krevatin e dhomës për javë e mbase edhe muaj të tërë. E ëma dhe e motra, viktima të një sekti fetar, janë kujdesur që kufoma të mos shpërbëhej dhe në fund nëna u gjet pa jetë, kurse e motra gjysëm e vdekur.
Ky horror, që po ta shkruante dikush, do të merrej për trillim i një mendjeje të çartur, ka ndodhur jo në skerkat e ndonjë province por në Tiranë.
Ato që vijnë pas zbulimit të hatasë nuk janë kaq rrënqethëse po, përfat të keq, mbeten groteske e shkuar groteskes.
Prokuroria merr të pandehur vajzën e mbijetuar ‘për mos kallzim krimi’. Natyrisht është një veprim rutinë që ka edhe një ‘mision’ të madh: t’i tregojë njerëzisë se shteti e bën pjesën e vet, vepron e vigjëlon, natyrisht jo për jetën po për shkresa, formularë e procedura.
Nënë e bijë varrosen në vendlindje, nën kujdesin e të afërmve. Kufomën e vajzës, që mbeti në krevat për javë a muaj të tërë, e përcjellin të veshur me rroba nusërie.
A s’do bënim më mirë t’i linim mënjanë formularët e formalitetet dhe të gjithë, duke filluar nga ne, dmth unë, ti, ata e duke ardhur te shteti, të kujdesemi për tjetrin sa është gjallë e ka nevojë për punë, ushqim, informim, pëkujdesje e ngrohtësi njerëzore?
Po vazhduam me këtë farë indiference e këtë lloj hipokrizie, rrezikojmë që si shoqëri të na përcjellin me vargjet e baladës ‘keni parë a s’keni parë?/ Shkon një kalë bishtbardhë,/ i vdekuri me të gjallë.’ Po, me gjasë as këtë nuk do na e kendojnë dot se nga kutërbimi nuk do hapin dot gojën
( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )