Një konflikt i nisur për motive banale mes dy djemve 16-vjeçarë në shkollën e mesme “Besnik Hidri” në Shënvlash, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Sipas burimeve nga policia, djali me iniciale Sh.M, 16
vjeç, ditën e djeshme është goditur nga bashkëmoshatari i tij E.Z. me qytë pistolete. Ngjarja është shënuar në afërsi të shkollës ku studiojnë nxënësit dhe gjithçka ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta mes tyre. Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të cilët vunë në pranga 16vjeçarin E.Z. dhe i sekuestruan pistoletën tip EKOL, kalibër 6.35 mm të cilën e mbante pa leje. Ai e kishte fshehur armën në mjetin e tij tip Fiat, pa targa.
Por, kjo nuk është hera e parë që emri i gjimnazistit E.Z. lakohet në polici. Më 24 mars të këtij viti, po në shkollën “Besnik Hidri”, ai në bashkëpunim më një nxënës tjetër kanë çarë gomat e tre mjeteve të mësuesve të tyre. Policia thotë se gjatë kësaj periudhe ai ka qenë në shërbim prove. Ndërkohë, akuza që rëndon tashmë mbi të është ajo e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe të municionit”.