Pas ngjarjeve të Parisit një pyetje kryesore është ngritur. A do t’i shpallet një luftë e drejtpërdrejtë IS dhe a do të meren masa që përmes kësaj lufte Shteti Islamik të zhduket nga faqja e dheut?!
Me kalimin e ditëve presionin më të madh po e përballon Presidenti Obama, i cili është bombaruar nga kërkesat për të vendosur për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Shtetit Islamik, duke çuar forca tokësore në Siri.
Në postimin e tij të fundit në rrjetin social Twitter Obama ka shkruar:
“Prioriteti im kryesor është të mbroj popullin amerikan. Së bashku me 65 aleatët tanë, ne do të udhëheqim fushatën për të shkatërruar ISIS.”
Në postimet e tjera po në Twitter, Presidenti Barack Obama ka ripërsëritur se SHBA do të gjejë strehim për të paktën 10 mijë refugjatë sirianë deri vitin e ardhshëm. Obama nuk ka harruar të shkruajë se refugjatët do të hyjnë në tokën amerikane pas kontrolleve të sigurisë më të lartë.