Nga Ilva Tare/
Dy qëndrimet e fundit publike të ambasadorit amerikan në Tiranë mund të konsiderohen si lëvizjet më të forta të diplomacisë amerikanë në Shqipërinë e pas rrëzimit të komunizmit. Deklarimi i përsëritur në krah të reformës së drejtësisë dhe draftit të ekspertëve ndërkombëtarë, që po pret sugjerimet e Komisionit të Venecias dhe përmendja e ministrave të korruptuar, gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e duan reformën, si dhe kulmimi me përmendjen e emrave të personave të njohur nga bota e krimit që shëtisin të pashqetësuar në botën e lirë, janë pa asnjë mëndyshje mbështetja më e madhe që ka përfituar ndonjë proces në vendin tonë.
Përshkallëzimi i deklaratave të ambasadorit Lu, përballë përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, duke i parë ata në sy dhe duke u folur në gjuhën e nënës, është një mesazh i qartë i vendosmërisë së Uashingtonit, për të mos e lënë fatin e reformës të rrëshkasë në humorin e vendimmarrësve nga politika. Madje politika është përmendur nga diplomati amerikan si përgjegjëse për kapjen e sistemit, i cili përmes disa të pafytyrëve, siç u shpreh Lu, ka deformuar zbatimin e ligjit në kurriz të mos dhënies së drejtësisë së barabartë për të gjithë.
Donald Lu ka përmendur për herë të parë emra të botës së krimit, që janë artikuluar edhe më parë nga politikanët dhe media si problematikë, në lidhje me segmente të caktuar të pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor. Megjithatë deri këtu, nuk ka asgjë të re për qytetarët që i kanë dëgjuar këto emra në debatet politike. E reja do të ishte nxjerrja në publik e gjyqtarëve, prokurorëve, ministrave, deputetëve, që kanë ndikuar apo ushtruar presion mbi drejtësinë, për të shpëtuar kriminelë dhe të inkriminuar.
Është e qartë që ambasada amerikane nuk flet në mungesë provash dhe individësh të lidhur drejtpërsëdrejti me vendime të jashtëligjshme. Sikundër, është po aq e qartë se SHBA nuk mbajnë qëndrime publike të nxitur nga informacionet që kanë dalë në media, pasi një veprim i tillë do të ishte i papjekur, sidomos në kushtet e tregut mediatik në Shqipëri që është po aq i kontaminuar, sa ai politik.
Nëse amerikanët e kanë kaq të rëndësishme sa duket përfshirjen në reformën e drejtësisë, dhe cilësinë e institucioneve që do të ngrihen përmes saj, duhet të japin të parët edhe një shembull modeli për transparencën që sponsorizojnë. Donald Lu nuk duhet të bjerë në kurthin e deklaratave që thonë shumë dhe asgjë, në të njëjtën kohë. Shqiptarët duhet të dinë të njëjtin informacion që kanë dhe amerikanët. Duhet t’u bëhet publike lista me emrat e të pafytyrëve. Përndryshe nuk do të ishte e ndershme dhe as e sinqertë të përmendej viktima, në kushtet kur dihet emri i xhelatit. Mbajtja e fshehtë e përgjegjësve, që për shkak të rekordeve të tyre duhet të shkojnë së shpejti në bankën e të akuzuarve, do të kompromentonte edhe mbështetjen ndaj reformës, madje edhe qëllimin e saj.