Rektori i Univeristetit të Tiranës, Mynyr Koni i ka kthyer përgjigje ministres së Arsimit, Besa Shahinit për disa studentë të Fakultetit Ekonomik që kanë mbetur pa diploma.
Teksa e cilëson komunikimin e Besa Shahinit të njëanshëm dhe jo profesional, Koni siguron se do i firmosë vetë diplomat e studentëve, atëhere kur dekani i FE, Dhori Kule t’i dërgojë listën përfundimtare të studentëve, një përgjigje kjo që vazhdon lojën “e ka kush e ka” ndërsa studentët mbeten pa diploma.
STATUSI I MYNYR KONIT
Në lidhje me problematikën e krijuar për firmosjen e diplomave, për një numër studentësh të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, tashmë të bërë publike edhe nga media, të cilat, në disa raste kanë keqinterpretuar publikun në lidhje me këtë çështje, në vijim të komunikimit zyrtar, të përsëritur prej disa muajsh, si me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ashtu edhe me Drejtorin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), më në fund, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka kthyer një përgjigje (edhe me këtë shkresë, jeni njohur nga media), dhe ka shprehur qëndrimin e saj, aspak profesional, të njëanshëm dhe krejtësisht në shkelje të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe të udhëzimit përkatës të nxjerrë nga ministri përgjegjës për arsimin, në lidhje me këtë çështje.
Sikurse i kam bërë të qartë Ministrit përgjegjës për arsimin, së fundmi, edhe në shkresën nr.1839/2 datë 29.06.2020 (kliko këtu https://unitir.edu.al/…/Shkrese-MASR-KM-29.06.2020-diplomat…), qëndrimi im ndaj këtij problemi kaq të rëndësishëm, mbetet i njëjtë.
Për sa kohë që nga ana e drejtuesit të njësisë kryesore të Fakultetit të Ekonomisë të UT, z.Kule, nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (detyrim ligjor ky, siç kanë vepruar të gjithë dekanët e tjerë të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, në gjithë këto vite), për vitin akademik 2017-2018, 2018-2019, e bën të pamundur lëshimin e këtyre diplomave nga Universiteti i Tiranës.
Në këto kushte, këto kartona (jo diploma), nuk mund të nënshkruhen nga Rektori i Universitetit të Tiranës.
Në momentin kur në Rektoratin e UT, do të përcillet nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë i UT, lista përfundimtare e studentëve të regjistruar, me të dhënat e tyre për matrikullim (për vitin akademik 2017-2018), Rektori do të veprojë në mënyrë të menjëhershme, me nënshkrimin e tyre.
Kjo është e vetmja mënyrë institucionale, e rregullt dhe ligjore, në zbatim të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 dhe Udhëzimit përkatës, të nxjerrë nga vetë Ministri përgjegjës për arsimin, të cilën ja kam bërë me dije dhe ja kam kërkuar prej disa muajsh edhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Studentët e prekur nga gjithë kjo, dua t’i siguroj edhe një herë, sikurse jam përpjekur për ta bërë këtë gjë në të gjitha komunikimet e mia zyrtare me ta, apo edhe nëpërmjet strukturave përkatëse në Rektoratin e UT, se të gjitha përpjekjet e mia, kanë qëllim vetëm zbatimin e ligjit dhe për të mos cënuar ligjshmërinë dhe vlerën e diplomës së tyre universitare.
Nga ana tjetër, do t’i kërkoja të mos bien pre, as e provokimeve dhe as e keqinterpretimeve të askujt, që përpiqet për ta bërë këtë gjë, sepse, të jeni të sigurtë që shumë shpejt, ligjshmëria dhe e drejta do të triumfojnë.
/e.rr