Shqiptarët duhet të presin edhe dy javë për të mësuar nëse do të mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian.
Shqipëria duket se nuk është përfshirë në listën e vendeve për të cilat hapen kufinjtë e jashtëm të Bashkimit Europian prej 1 korrikut.
As Maqedonia e Veriut, as Kosova dhe as Bosnjë-Hercegovina duket se nuk bëjnë pjesë në këtë listë, edhe pse Komisioni Europian kishte rekomanduar hapjen e kufinjve të jashtëm me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në 11 qershor.
Gazetarja Erisa Zykaj raporton nga Brukseli për abcnews.al se lista që pritet të miratohet me shumicë të cilësuar nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian sot përfshin 14 shtete: Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia, Uruguai.
Vendimi me shkrim i ministrave të brendshëm të Bashkimit Europian bazohet në evolucionin e situatës epidemiologjike së koronavirusit të dy javëve të fundit.
Ko situatë ka ndryshuar në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk korrespondon më me nivelin mesatar të të prekurve nga koronavirusi në Bashkimin Europian.
Duket se Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovinë nuk kanë përmbushur kriterin e pasjes më pak se 16 raste me COVID-19 për 100.000 banorë në dy javët e fundit.
Lista e vendeve, banorët e të cilëve mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian, ndryshon çdo dy javë.
Udhëtimet esenciale drejt Bashkimit Europian mundësohen për punëtorët sezonalë në bujqësi, diplomatët, studentët dhe psersonat që kalojnë tranzit nga Bashkimit Europian, të cilët nuk preken nga kufizimet.
g.kosovari