Pas dy ditësh diskutimesh, Bashkimi Europian ndërmori një vendim mjaft të diskutueshëm për ta lënë Shqipërinë jashtë listës së vendeve me të cilat kufijtë do të hapen prej 1 Korrikut. Shqipëria ishte fillimisht në listë, por më pas u hoq, me pretendimin se shifrat e pandemisë janë rritur.
Nga Ballkani kufizimet hiqen vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa mbeten për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje – Hercegovinën.
Por a qëndron argumenti i përkeqësimit të situatës epidemiologjike që ka përdorur Brukseli për të lënë në fuqi kufizimet për Shqipërinë dhe për t’i hequr ato për një vend të Ballkanit, si Serbia?
Shqipëria, me një popullsi prej 3 milionë banorësh, ka sot 72 raste të reja, 56 viktima dhe 2402 të prekur në total, 963 të infektuar aktive, 1384 të shëruar. Thënë ndryshe, një raport me 835 raste dhe 19 vdekje për 1 milionë banorë.
Serbia, një vend me afro 7 milionë banorë, ka plot 227 raste të reja, 267 viktima dhe 13 mijë e 792 të infektuar në total, 1187 raste aktive, 12,338 të shëruar. Raporti është 1578 raste dhe 31 vdekje për 1 milionë banorë.
Të dhënat zyrtare flasin qarte. Serbia rezulton më keq se Shqipëria në çdo tregues që mat ecurinë e pandemisë. Aq më tepër kur mediat e rajonit kanë hedhur dyshime se Serbia i ka manipuluar të dhënat, duke ulur numrin e vdekjeve nga Covid-19.
Dhe nëse Bashkimi Europian është i bazuar në këtë ecuri, vendimi i tij është i padrejtë në rastin më të mirë dhe diskriminues në rastin më të keq.
Sepse në çdo rast, shifrat me të cilat matet përkeqësimi apo përmirësimi i situatës e rrëzojnë argumentin BE-së.
Përtej tyre, Brukseli mund të vendosë sipas dëshirave, me apo pa të drejte, për t’i mbajtur qytetarët shqiptarë të mbyllur për një kohë të papërcaktuar dhe për të favorizuar qytetarët e Serbisë, duke dëmtuar kështu një vend e duke favorizuar një tjetër, me apo pa dashje.
Vendimi për të lënë në fuqi kufizimet për Shqipërinë pas 1 Korrikut vjen në një kohë kur kompanitë ajrore, ato të linjave detare e tokësore ishin bërë gati për transportin e udhëtarëve, teksa sezoni turistik po arrin pikun e tij dhe kur ringjallja e turizmit shihet si shpresë për të përmirësuar ekonominë e gjunjëzuar nga kriza. (Klan)
/a.r