Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Kryenegociatorin e Shqipërisë me Bashkimin Europian, Zef Mazin.
Mësohet se Ruçi e uroi Mazin për detyrën shumë të rëndësishme dhe e garantoi për mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë në realizimin me sukses të misionit të tij të negociatave me Bashkimin Europian.
“Për çështjen e integrimit europian të Shqipërisë nuk kemi asgjë që na ndan si forca politike. Integrimi është kryeçështja që na bashkon. Unë do të bëj të gjitha përpjekjet që integrimi të mos përdoret si një çështje politike dhe elektorale, por si kryeçështja që bashkon politikën shqiptare. Për këtë duhet të mësojmë edhe nga përvojat e vendeve të tjera të suksesshme në rrugëtimin e tyre europian.”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Sipas njoftimit të Kuvendit, Kryenegociatori Mazi e informoi Ruçin mbi aspektet dhe dimensionet kryesore të punës së tij si Kryengociator dhe të grupit të negociimit, që sipas tij janë: koordinimin e punës brenda vendit me ministritë, qeverisjen vendore, shoqërinë civile dhe median; procesin e negociatave me Komisionin Europoian; lobimin dhe bashkëpunimin me vendet anëtare.
“Dimensioni parlamentar i procesit të negociatave dhe diplomacia parlamentare janë një element kyç për suksesin e tyre”, u shpreh Mazi.
/a.r