Një operacion policor i koduar “Destinacioni”, ka vënë në pranga një person në Pogradec, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, të klandestinëve.
Një 35-vjeçar është arrestuar teksa transportonte 11 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 35-vjeçari që u përpoq t’i shmangej Policisë, por u kap dhe u arrestua në flagrancë.
I arrestuari është I. B., 35 vjeç, banues në Tiranë. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, se i dyshuari transportonte me mjetin e tij furgon, disa shtetas nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë, efektivët e policisë kanë organizuar punën, duke bërë lokalizimin dhe më pas kapjen e prangosjen e këtij shtetasi.
Kapja e tij u bë pranë vendit të quajtur “Enkelana” dhe në momentin që ka ndërhyrë policia ai ka tentuar të largohet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve për të ndaluar, por pas ndjekjes së policisë është kapur në vendin e quajtur “Gur i Kuq”.
Në mjetin furgon që po drejtonte 35-vjeçari u konstatuan 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi I. B., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt përfitimit.
Aktualisht po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë ngjarje, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Pogradecit, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
g.kosovari