Nga Mero Baze
Unë jam një mbështetës i Gjykatës Speciale për Kosovën dhe hyj tek ata që kam bërë betejë në opinion publik që Kosova ta pranojë. Qëllimi për të cilin ajo u ngrit, pas akuzave të Dick Marty-n, ishte pastrimi i historisë së Kosovës nga një histori që ngjante si film artistik me regjizor serb dhe aktorë shqiptarë.
Por problemi më i madh që ka Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë, është se deri më sot nuk ka asnjë akt- akuzë. Në vitin e saj të katërt, Gjykata e cila pretendoi se ka shumë prova, ende nuk ka ngritur asnjë akt-akuzë, por ka vetëm akuza të bëra me njoftime shtypi nga prokurori, siç ishte dhe rasti i fundit.
Nëse Gjykata, e cila u ngrit me shumë hov do të kishte sot një akt-akuzë dhe më pas një gjykim, pasojat politike për Kosovën do të ishin pozitive. Ata që sot gëzimin për akuzat ndaj Thaçit, Haradinajt, apo Veselit, i maskojnë me versionin radikal të mos pranimit të Gjykatës, apo akoma më keq me komplote Perëndimore kundër shqiptarëve, përmes “drejtësisë”, kanë halle të tjera, jo hallet e Gjykatës. Problem nuk është ngritja e Gjykatës, por mos funksionimi ende i saj.
Së pari nëse Gjykata do të funksiononte, do të kalonim nga një “inkriminim kombëtar” siç po e pëson sot Kosova, në një përgjegjësi personale të njerëzve, për të cilët do të kishte aktakuza.
Kjo as do ta dëmtonte Kosovën dhe as historinë e saj. Kjo thjeshtë vendoste drejtësinë.
Përpjekja për ta bllokuar funksionimin e drejtësisë në Gjykatën Speciale dhe përdorimi politik i pritjes së vendimeve, ka bërë që tashmë Gjykata të shikohet si një institucion që persekuton Kosovën dhe jo individët.
Dhe këtu patjetër që kemi të bëjmë me politikë kundër Kosovës.
Së dyti nëse do të kishim akt-akuza konkrete dhe gjykime të tyre, do të ishim dhe më të ndershëm në raport me individët që do të gjykoheshin. Njerëzit që shkojnë në gjykata për krime lufte, pas një historie si kjo e Kosovës, nuk gjykohen njësoj edhe nga gjykata edhe nga historia. Për dikë ata janë kriminelë, e për dikë heronj.
Kjo do ta bënte shoqërinë më të drejtë dhe të akuzuarit më dinjitozë. Fakti që vetëm i akuzojnë dhe nuk i gjykojnë, është poshtërimi më i madh që po tentojnë t’ju bëjnë, pasi i trajtojnë si kriminelë në dispozicion të politikave ditore.
Kjo është arsyeja pse njoftimi për akt-akuzën ndaj Hashim Thaçit shkaktoi “tërmet”. Shkaktoi “tërmet”, se ai hodhi në erë një ngjarje historike për Kosovën, takimin në Uashington dhe jo se vuri në rrezik jetën apo të ardhmen e Hashim Thaçit. Atë e fuqizoi më shumë.
Akt-akuza sabotoi takimin shqiptaro- serb në Uashington, që pritej të ishte një fillim historik. Këtu më së paku ka ndonjë dëm për Hashim Thaçin. Këtu është hedhur në erë Kosova në emër të gjoja hetimit të krimeve të luftës që nuk po hetohen.
Dhe së fundmi të vetmit që nuk duhen pasur zili në këto momente, janë ata që thonë të gëzuar “ne nuk e deshëm Gjykatën Speciale”, “Ju që e deshët mbajeni, dilini zot”.
Ata që nuk e deshën Gjykatën Speciale për arsye politike, në fakt janë ata që kanë dashur të mbeten pa zbardhur akuzat serbe të Dick Marty-n që depërtuan deri në Bashkimin Europian në dokumente zyrtare. Ata e kanë dashur Kosovën gjithë jetën të akuzuar dhe kurrë të mbrojtur.
Nëse e kanë nga idiotësia mund të na vijë keq si për çdo budalla, por nëse janë të qartë çfarë thonë, duhet të pranojnë se janë një hap para serbëve në këtë festë. Kosova nuk mbrohet duke dalë për herë të dytë në mal nga frika e Gjykatës, por duke e demontuar këtë farsë.
Kosova është në ditët e saj më të këqija, jo se është ngritur Gjykata Speciale, por se nuk po funksionon Gjykata Speciale, por si luftë speciale, si zyrë shtypi propagandistike që nxjerr akuza dhe nuk ngre akt-akuza. Nëse do të kishte funksionuar si gjykatë, do të kishte pastruar tanimë shumë histori dhe nuk do mund të keqpërdorte pozitat delikate të një shteti si Kosova për interesa të ngushta politike.
Ky është momenti që kompromenton mos funksionomin e Gjykatës Speciale dhe jo funksionimin e saj.
Asnjë shqiptar nuk del i humbur nga Gjykata Speciale. Ata ose bëhen heronjtë e shqiptarëve, ose dëshmitarë të gënjeshtrës serbe për shqiptarët.
I vetmi dëm që mund t’u bënte Gjykata Speciale shqiptarëve është ky që po bën, vonesa e drejtësisë, dhe mbushja e boshllëkut me propagandë politike, me akuza pa akt-akuza dhe gjykime. Ky që në vend të gjykojë individë, përdoret për të dënuar pa gjyq Kosovën.