Djali i Nikita Hrushov ka vrarë veten.
Sergei Hrushov, ish-shkencëtar bërthamor, ishte 84 vjeç dhe ishte vendosur në SHBA, në 1991, pas rënies së komunizmit në Bashkimin Sovietik.
Një mjek ligjor në Rhode Island, ka konfirmuar se djali i diktatorit sovietik Nikita Hrushov vdiq nga një plumb në kokë.
Sergei Hrushov erdhi në SHBA për herë të parë gjatë vizitës së babait të tij, në 1959, kur ishte vetëm 24 vjeç.
“M’u duk sikur kisha mbërritur në planetin Mars”, tregoi ai shumë më vonë gjatë një interviste. “më bënë përshtypje palmat, veturat, autostradat, gjithshka”.
Edhe amerikanëve u bëri përshtypje djali i diktatorit. Nga bisedat me të dhe sjellja shkruante “The Neë York Times”, “nuk jep shenja se do të ndjekë gjurmët e babait”.
Ngjan pak naïve, po jo e pamendueshme për gazetën e njohur njujorkeze. Ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, ishte koha kur fëmijët amerikanë në klasën fillore u mësohej se si të vepronin në rast sulmi bërthamor.
Bëheshin prova, po ashtu si i bënim edhe ne në Shqipëri.
Për ironi, Sergei Hrushov si shkencëtar bërthamor ishte pikërisht një prej specialistëve që në dhjetë vitet që vijuan punoi për fuqizimin dhe përmirësimin e raketave bërthamore që mund të përdoreshin kundër Amerikës në rast lufte.
Nikita Hrushov ra nga pushteti rreth 5 vjet më vonë dhe u la në hije nga regjimi sovietik deri në fund të jetës.
Është një rast interesant që dëshmonte se si BRSS e kishte lënë pas periudhën e Stalinit.
Në atë kohë, bashkë me pushtetin humbje edhe kokën. Hrushovi u la i gjallë, madje një libër me kujtime, kaloi ilegalisht kufirin dhe u botua në Perëndim.
Djali i tij, Sergei la sektorin bërthamor dhe u bë profesor. U mor me historikun e studimeve bërthamore, me marrëdhëniet soviet-amerikane etj.
Pas rënies së komunizmit u vendos në SHBA si profesor, në Broën University. Në 1999, u bë nënshtetas i vendit që dikur i ati e kishte kërcënuar që ta shkatërronte me armë bërthamore.
“Nuk e quaj veten të arratisur, apo tradhtar”, tha Sergei Hrushov, kur u bë nënshtetas amerikan. “Punoj në këtë vend dhe më pëlqen ky vend. Besoj se edhe babait do t’i bëhej qejfi për këtë vendim”.