Presidenti Ilir Meta i kthen qeverisë një tjetër ligj për rishikim. Bëhet fjalë për ligjin “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i njohur ndryshe si ‘Bitcoin’/ ‘Kriptomonedhen’.
Në një arsyetim të gjatë, për motivet e kthimit në Parlament, kreu i Shtetit thotë se ky ligj krijon hapësirë për pastrimin e parave si edhe shmang detyrimet fiskale në vend. Gjithashtu Meta vlerëson se miratimi i këtij ligji cënon stabilitetin e monedhës vendase.
“Në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik.” vlerëson Presidenti.
Meta është i mendimit se miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare.
“Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja.” -thekson më tej kreu i shtetit.
Për presidentin e Republikës, në ligjin e paraqitur si dhe në relacionin shoqërues, nuk i është kushtuar rëndësi shpjegimit të parandalimit të lidhjes: Veprimtari kriminale; Transaksione të paligjshme; Pastrim parash; dhe Evazion fiskal.
“Ndaj një nismë e tillë, – thekson Meta, – e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme.
“Kuvendi gjithashtu duhet të ketë në vëmendje që ky ligj, duke mos përcaktuar mekanizma për parandalimin e shmangies fiskale, rrezikon të çojë në dëm të konsiderueshëm në financat e shtetit, në cenim të interesit publik.”- përfundon Meta.
ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 66/2020 “PËR TREGJET FINANCIARE TË BAZUARA NË TEKNOLOGJINË E REGJISTRAVE TË SHPËRNDARË”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 21 maj 2020 ligjin nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Ky ligj me shkresën me nr. 1447 prot., datë 03.06.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Sipas dokumentacionit parlamentar dhe veçanërisht relacionit shoqërues të tij, deklarohet se ligji ka për objekt:
– rregullimin e emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale;
– të licencimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e:
– shpërndarjes, tregtimit e ruajtjes së tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale,
– i agjentit të tokenëve digjitalë;
– ofruesit të shërbimeve inovative; dhe
– sipërmarrjes së automatizuar të investimeve kolektive.
Argumentimi i nismës mbështetet gjithashtu,sipas relacionit shoqërues mbi faktin se, emetimi i rregulluar sipas ligjit të tokenëve digjitalë dhe monedhave virtuale dhe i tokenëve digjitalë të titujve krijon premisa për sigurimin e një burimi alternativ financimi për hapjen e bizneseve të reja dhe bizneseve të tjera inovative që do ta kishin të vështirë ose të kushtueshme për të mbledhur kapital përmes kanaleve tradicionale të financimit.
Ky ligj është miratuar thuajse si paketë dhe lidhet edhe me:
– Ligjin nr. 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”; dhe
– Ligjin nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”.
Të dyja këto ligje janë kthyer për rishqyrtim, pasi për shkak të fushës së veçantë që trajtojnë, nuk parashikojnë qartë procedurën e licencimit dhe mekanizmat e kontrollit efektiv dhe objektiv nga autoritetet mbikëqyrëse.
Ndërsa ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, krahasimisht me dy ligjet e sipërcituara, është një ligj që paraqitet i mirëstruktururar dhe përmban procedura më të detajuara për ushtrimin e veprimtarisë e rregulluara sipas tij.
Teknologjia e regjistrave të shpërndarë ka mundësuar kryerjen e transaksioneve ekonomike ndërmjet dy palëve në distancë, pa përfshirjen e ndërmjetësuesve ose rregullatorëve. Ndërsa monedha virtuale është e mirëpritur në shumë pjesë të botës, disa vende janë të kujdesshme për shkak të:
– paqëndrueshmërisë;
– natyrës së decentralizuar;
– kërcënimit të perceptuar ndaj sistemeve monetare aktuale; dhe
– lidhjeve me veprimtari të paligjshme si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave.
Ndaj dhe rregullimi i kuadrit normativ në këtë fushë me këtë ligj, duhet parë i lidhur me tre aspekte kryesore:
– Së pari, lidhet me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë;
– Së dyti, lidhet me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale;
– Së treti, lidhet me vetë disa problematika që paraqesin dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues.
I. Lidhur me gjendjen aktuale në Shqipëri dhe nevojën e përmbushjes paraprake të disa parakushteve dhe standardeve që mundësojnë funksionimin efektiv të tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë
1. Rregullimi i emetimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale edhe pse është një risi teknologjike që përmban anë pozitive, në kushtet akutale, për shkak të mungesës së plotësimit të kushteve dhe standardeve që kërkojnë tregje të tilla të regjistrave të shpërndarë, mund të jetë një proces i parakohshëm për t`u miratuar dhe/ose për t`u zbatuar.
2. Kjo për shkak të rreziqeve dhe anëve negative të përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale, që janë të shumta, por që veçojmë për t`i sjellë në vëmendjen tuaj:
– Vlerësohet të ketë pak ose aspak mundësi mbikëqyrjeje nga rregullatori kur situata del nga kontrolli (ky aspekt, duke marrë në konsideratë dhe parashikimet e disa dispozitave të ligjit si më poshtë shpjeguar, bëhet edhe më problematik);
– Vlera e tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale luhatet në mënyrë drastike dhe përdorimi i monedhës varet kryesisht nga disponueshmëria e internetit;
– Shpejtësia e transaksionit dhe tarifat kanë tendencë të ndryshojnë në varësi të efikasitetit të punës për krijimin e tyre (minierave) dhe bllokimeve të rrjetit;
– Shndërrimi i tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale në monedhe likuide është i kushtueshëm;
– Nuk është i pranueshëm për çdo ofrues mallrash ose shërbimesh;
– Struktura e “blockchain” do të thotë që çdo transaksion është përfundimtar dhe transaksionet janë të pandryshueshme;
– Nëse bie viktimë e një mashtrimi ose bëhet një blerje aksidentale, nuk ka asnjë mënyrë që ky transaksion të anulohet;
– Shumë çelësa privatë (kode) të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale kanë humbur, duke kontribuar kështu në deflacionin dhe mbivlerësimin e vlerës së tyre;
– Ndërfaqja e përdoruesit në shumicën e aplikacioneve DLT është ende e paqëndrueshme, dhe rrjeti nuk është gati për t’u shërbyer të gjithëve në botë;
– Sigurimi i tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale kërkon njohuri dhe vetëdije bazë të sigurisë në internet, ndërsa nuk jepet asnjë e dhënë mbi kapacitetin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të mbuluar dhe monitoruar këtë fushë që nuk lidhet vetëm me dhënien e licencave, por mbi të gjitha kërkon mekanizma të aftë kontrolli;
– Parimi i përdorimit të tokenëve digjitalë dhe/ose të monedhave virtuale shkon kundër institucioneve qeverisëse, politikës, bankave, rregullatorëve dhe kontrollit, e ka të ngjarë të ndeshet me shumë rezistencë përpara se këta aktorë ta tolerojnë ose aprovojnë atë.
3. Njësoj siç është theksuar në arsyetimin shoqërues për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”, vlen të theksojmë edhe për këtë ligj se, për tregun aktual financiar në Shqipëri, problematike mbetet ende mes të tjerash edhe:
– Madhësia e vogël e ndërmarrjeve me sisteme të dobëta të qeverisjes korporative;
– Institucione të dobëta qeverisëse legale, rregullatore dhe korporative për të mbrojtur investitorët.
Ndaj, edhe në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet.
Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik.
II. Lidhur me rrezikun e shtuar të transaksioneve ilegale, të pastrimit të parave dhe të shmangies fiskale.
1. Të dhënat publike tregojnë se, në të gjitha vendet ka patur një shqetësim mbi rastet e shumta të mashtrimit nëpërmjet emetimit dhe tregtimit të tokenëve digjitalë dhe/ose monedhave virtuale. Ndaj dhe, siç citohet në relacionin shoqërues të nismës: “Shumica e vendeve të tjera janë duke aplikuar të ashtuquajturat “regulatory sandboxes”, që përfaqësojnë një ambient testimi, ku autoriteti kompetent përkatës teston tregun, duke lëshuar licenca me afat të shkurtër, ku vlerësohen të gjitha rreziqet e problematikat që has tregu përpara se të hartohet një ligj kombëtar, ndërkohë që nuk frenon bizneset inovative të shfrytëzojnë idetë e tyre. Aktualisht, megjithëse në Evropë ky fenomen “regulatory sandboxes” është kthyer në një trend, në Shqipëri nuk suportohet nga ligjet bazë të autoriteteve kompetente; pra, këto autoritete nuk kanë të drejtë të lëshojnë rregullore me qëllimin e testimit të tregut, si dhe identifikimit të problematikave. Duke u nisur nga sa më sipër, është e rëndësishme që Shqipëria të përgatitë kornizën ligjore në lidhje me aktivet virtuale.”
2. Ky qëndrim i shprehur dhe në relacion, përveçse reflekton qartë shqetësimin që bartin në vetvete tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë dhe ngurimin për aplikim në shumicën e vendeve, është kundërthënës me vetë ndërmarrjen e kësaj nisme në këto momente, pa një analizë të mirëfilltë të gatishmërisë së Shqipërisë për implementimin e këtyre tregjeve.
3. Disa vende kanë ndaluar plotësisht monedhën digjitale, ndërsa të tjera vende janë përpjekur të ndërpresin çdo mbështetje nga sistemi bankar dhe financiar thelbësor për tregtimin dhe përdorimin e tij. Natyra e decentralizuar dhe anonime e monedhës virtuale ka sfiduar shumë qeveri mbi mënyrën se si të lejojnë përdorimin e ligjshëm duke parandaluar transaksionet kriminale. Shumë vende ende janë duke analizuar mënyra për rregullimin e monedhës vitruale.
Miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara, ndërsa në Shqipëri, ndërmerren direkt hapa për implementimin e tyre pa një vlerësim të mirëfilltë, vlerësim ky që mungon në praktikën dokumentare parlamentare. Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja.
4. Pastrimi i parave dhe veprimtaria terroriste janë dy nga shqetësimet më të mëdha që lidhen me monedhën virtuale, sepse implikimi i veprimtarisë kriminale dhe transaksionet e tyre nuk mund të gjurmohen nga qeveria. Në ligjin e paraqitur si dhe në relacionin shoqërues, gjithsesi nuk i është kushtuar rëndësi shpjegimit të parandalimit të lidhjes së mëposhtme:
– Veprimtari kriminale; Transaksione të paligjshme; Pastrim parash; dhe Evazion fiskal.
Miratimi i kuadrit ligjor dhe fillimi i menjëhershëm i zbatimit të tij, pa përgatitjen e duhur të organeve monitoruese dhe mbikëqyrëse, bart rrezikun evident të krijimit të hapësirave për përdorimin e tregjeve financiare të tilla edhe nga krimi, pa mundësi efektive parandalimi, gjurmimi dhe ndëshkimi. Nëse një situatë e tillë ndodh, atëherë dëmi për sistemin financiar në tërësi, investimet e individëve në veçanti, por dhe për procesin e integrimit europian të vendit, do të ishte shumë i madh.
Ndaj është detyrim i Kuvendit t`i vlerësojë këto rreziqe për të rishikuar gjithashtu edhe momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pasi periudha e parashikuar për 1 shtator 2020 është shumë e shkurtër dhe përfshin periudhën në të cilën vendi ynë ende vijon të jetë nën efektet e forta të dy goditjeve nga fatkeqësitë natyrore. Gjithashtu, u duhet lënë koha e nevojshme edhe autoriteteve licencuese dhe kontrolluese për të njohur ligjin, për të hartuar kuadrin sa më efikas nënligjor, si dhe për të rivlerësuar nëse disponojnë mekanizma apo burime njerëzore të mbikëqyrjes së këtyre veprimtarive risi për vendin tonë.
5. Ky rrezik është veçanërisht më i madh, kur edhe sa i përket pjesëmarrjes influencuese (të drejtpërdrejtë ose të tërthortë) në kapitalin e një personi juridik, është përcaktuar pa asnjë sqarim niveli i zotërimit të kapitalit ose të drejtave të votës në masën mbi 10% (neni 3, pika 11 dhe 36 e ligjit), ndërkohë që në zhvillimin e aktiviteteve të tilla, rëndësi thelbësore merr identifikimi i të gjithë zotëruesve të kapitalit apo të aksioneve, pavarësisht përqindjes së deklaruar.
Ndaj një nismë e tillë, e miratuar pa një vlerësim të thelluar të kushteve ekonomike dhe rregullatore të vendit, që nuk synon të përafrojë asnjë rregullore apo direktivë, rrezikon të cenojë interesin publik në tërësi, për shkak se prek shumë aspekte të jetës dhe veprimtarisë së përditshme.
III. Mbi problematikat që paraqesin disa dispozita të ligjit dhe shpjegimet e dhëna në relacionin shoqërues
1. Ligji parashikon dhe tregtimin e tokenëve digjitalë të aseteve, kur që në dispozitën e përkufizimeve në nenin 3, pika 21, jep dhe përkufizimin e tij përmes metodës përjashtimore, citojmë:
““Tokeni digjital i aseteve” është çdo token digjital, i cili nuk përfshihet në asnjë prej kategorive të mëposhtme:
i. token digjital i pagesave;
ii. token digjital i titujve;
iii. token digjital shërbimesh”
Ndërsa në pikën 27 të po këtij neni, përcaktohet se në Bursën DLT, mund të listohen e tregtohen tokenë digjitalë të shërbimeve, tokenë digjitalë të pagesave dhe tokenë digjitalë të aseteve.
Kuptimi i “asetit” sipas kuadrit ligjor në fuqi, lidhet me pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Ndaj dhe ky rregullim, përfshirë dhe tokenin digjital të titujve, qartazi njeh mundësinë që aksione shoqërish tregtare, pasuri të luajtshme por edhe të paluajtshme, apo pjesë të tyre, për nevoja likuiditeti, të tregtohen në bursë përmes tokenëve digjitalë.
Ky rregullim ndërkohë, edhe pse është një nga mënyrat e reja më të përhapura të qarkullimit financiar, nuk merr aspak në konsideratë kuadrin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, sa i takon mënyrës së transferimit dhe regjistrimit të pronësisë, për ilustrim, të aksioneve të një shoqërie tregtare apo të pasurive të paluajtshme. Ndaj dhe zbatimi i këtij ligji për këto kategori titujsh, pa një analizë të gjithanshme të kuadrit ligjor të zbatueshëm që mund të kërkonte amendime, mbetet thuajse i pazbatueshëm, duke krijuar një pasiguri të madhe juridike për personat që mund të hyjnë në këto lloj transaksionesh.
Për më tepër, kjo mungesë e harmonizimit është edhe më e rëndë, kur vetë koncepti i tregtimit me monedha virtuale, nënkupton tregtim pa kufij fizikë mes vendeve, ndërkohë që kur bëhet fjalë për asetet e paluajtshme, legjislacioni në fuqi, në varësi të llojit të pasurisë së paluajtshme, përmban dhe kufizime sa i përket transferimit të pronësisë te shtetasit e huaj.
2. Ligji, duke nisur që nga neni 3, pika 36, sa i përket vlerësimit të kërkuesve për pajisje me licencë, referon në legjislacionin në fuqi për tregjet e kapitalit për kuptimin e termit “i aftë dhe i përshtatshëm”. Edhe për koncepte të tjera, ky ligj referon në kuptimet që jep ligji për tregjet e kapitalit, ligj që gjithashtu është kthyer për rishqyrtim në Kuvend dhe që paraqet problematika mbi të cilat ligjvënësi duhet të reflektojë.
Ndërkohë, sa i përket nenit 9 të ligjit:
– vlerësimi i reputacionit profesional e personal, përvojës, burimeve të mjaftueshme financiare, aftësisë dhe përshtatshmërisë, si kritere për licencimin e subjekteve kërkuese; dhe
– mungesa e delegimit të mirëfilltë për rregullimin e çështjeve të caktuara sipas kërkesave të nenit 118 të Kushtetutës, pa përcaktuar qartë as llojin e aktit (pika 2 dhe 3 e nenit),
lënë hapësira të mëdha diskrecionale për autoritetet, duke krijuar premisa për abuzime gjatë zbatimit në praktikë, e për pasojë, çojnë në cenim të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të aksesit në këtë fushë.
3. Mungesa e delegimit të mirëfilltë për nxjerrjen e akteve nënligjore, në kundërshtim me nenin 118 të Kushtetutës, në shumicën e rasteve pa përcaktuar as llojin e aktit nënligjor, vërehet edhe në nenet: 10 pika 1 dhe 2, 14, 15 pika 6, 45, 51 pika 3, 70 shkronja “b)”, 77 pika 3 dhe 5, apo në nenin 83.
Ndërsa parashikimet e:
– pikës 3, të nenit 51 që përcakton se:
“Subjekti kërkues për licencë burse DLT ose, sipas rastit, bursa DLT e licencuar, duhet të përmbushë gjithashtu çdo detyrim shtesë që mund të lindë si rrjedhojë e akteve nënligjore të nxjerra në vazhdimësi/në të ardhmen. Aktet nënligjore rregullatore respektive për secilin autoritet përgjegjës, në zbatim të këtij ligji, të cilat ndikojnë në veprimtarinë dhe/ose kushtet dhe kriteret e licencimit të bursave DLT, të cilat janë licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtyre akteve, do të shtrijnë efektin te këto bursa DLT vetëm 15 ditë pune pas hyrjes në fuqi të tyre. AMF-ja, sipas rastit, mund të përcaktojë një afat më të shkurtër kohor, por në asnjë rast, më të shkurtër se 10 ditë pune nga data e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore.”; apo
– pikës 5, të nenit 63 që përcakton se:
“Subjekti kërkues për licencë si ofrues i shërbimeve inovative ose, sipas rastit, ofruesi i shërbimeve inovative i licencuar duhet të përmbushë gjithashtu çdo detyrim shtesë që mund të lindë si rrjedhojë e akteve nënligjore të nxjerra në të ardhmen.”;
– pikës 6, të nenit 63 që përcakton se:
“Aktet nënligjore të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave në zbatim të këtij ligji, të cilat ndikojnë në veprimtarinë e ofruesve të shërbimeve inovative të licencuar përpara hyrjes në fuqi të këtyre akteve, shtrijnë efektin te këta ofrues të shërbimeve inovative vetëm 15 dite pune pas hyrjes në fuqi të tyre. AKSHI, sipas rastit, mund të përcaktojë një afat më të shkurtër kohor, por jo më të shkurtër se 10 ditë pune nga data e hyrjes në fuqi të akteve nënligjore.”
– Pikës 3, të nenit 77, që përcakton se:
“Subjekti kërkues, për t’u pajisur me licencë si kujdestar i portofolit të palëve të treta, përmbush çdo detyrim të përcaktuar nga aktet nënligjore ose rregullatore në zbatimin e këtij neni. Në rast se kërkesa e subjektit kërkues është paraqitur përpara hyrjes në fuqi të aktit nënligjor ose rregullator, autoriteti përgjegjës njofton kërkuesin për nevojën për plotësimin e aplikimit me kërkesat e reja, duke i lënë për këtë qëllim kohën e nevojshme, por në çdo rast jo më të shkurtër se 10 ditё pune nga e nesërmja e hyrjes në fuqi të aktit nënligjor ose rregullator. Në këtë rast afatet e përcaktuara në nenin 11, të këtij ligji, pezullohen për aq kohë sa i është lënë në dispozicion aplikuesit për plotësimin e aplikimit.”;
përveçse janë në kundërshtim me nenin 118 të Kushtetutës, cenojnë direkt sigurinë juridike dhe nenin 11 të Kushtetutës që mbron lirinë e veprimtarisë ekonomike.
Kushtet dhe kriteret që përbëjnë detyrim për subjektin e licencuar, ashtu si dhe aktet nënligjore që me autorizim të ligjvënësit (autorizim i formuluar në përputhje me kërkesat e nenit 118, paragrafi 2 i Kushtetutës) do të duhet të përcaktojnë kushte, kritere, apo detyrime për subjektin kërkues, duhet të jenë të përcaktuara qartë në ligj.
Një autorizim si dispozitat e sipërcituara, bën që çdo akti rregullues që mund të dalë në vijim nga autoritetet, t`i mungojë baza ligjore dhe të jetë i pazbatueshëm. Ashtu siç nuk mundet që, të shqyrtohen kërkesat për licencim, pa u plotësuar kuadri nënligjor, siç përcaktohet në disa dispozita të ligjit (për ilustrim, neni 29, pikat 5 dhe 6, neni 51 pikat 3 dhe 4, neni 63 pikat 6 dhe 7, neni 77, pika 4, neni 82, pikat 3 dhe 4, etj.).
4. Hapësirë e gjerë vlerësimi u lihet autoriteteve edhe në nenin 13, shkronjat “c)” dhe “ç)”, apo neni 44, shkronja “ç)”, duke bërë përcaktime jo mbi kritere objektive të matjes së “mjaftueshmërisë” apo “pamjaftueshmërisë”, apo për gjykimin nga autoriteti përgjegjës se subjekti do të jetë i aftë ose jo të plotësojë në të ardhmen kushtet dhe kriteret për licencimin.
5. Neni 49 i ligjit parashikon se:
“1. Në rast se emetuesi pranon para FIAT në këmbim të tokenëve digjitalë/monedhave virtuale të emetuara përmes një STO-je ose ICO-je, emetuesi detyrohet të hapë një llogari në një bankë ose degë të bankës së huaj me seli në Shqipëri, të licencuar nga Banka e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bankat në Republikën e Shqipërisë, me qëllim depozitimin e këtyre parave.
2. Paratë FIAT të pranuara nga emetuesi qëndrojnë në një llogari bankare të veçuara nga aktivet e bankës/degës së bankës deri në mbylljen e ofertës së STO-sё apo ICO-s.”
Kjo dispozitë evidenton një problematikë të theksuar lidhur me kryerjen e transaksioneve me monedhat virtuale. Nëse transaksioni kryhet duke pranuar para FIAT, atëherë duhet të hapet një llogari bankare dhe të lihet gjurmë, të kontrollohet burimi, lloji i transaksionit, kontrolli i parasë (nëse bëhet fjalë për pastrim parash, apo jo), si dhe lind detyrimi fiskal nga transaksioni.
Por nuk ka asnjë përcaktim, se si do të kryhen gjithë këto procese verifikuese në këtë rast. Kjo mungesë sigurie që shkakton ky ligj për të verifikuar dhe kontrolluar elementet e mësipërme, krijon premise direkte për shmangien e zbatimit të legjislacionit në fuqi në vend.
Ky verifikim pamundësohet në këtë rast konkret (kur emetuesi mund të pranojë para FIAT në këmbim të tokenëve digjitalë/monedhae virtuale), ndërsa për rastin kur nuk pranohet paraja FIAT dhe ka vetëm tregtim elektronik nga emetuesit, ligji nuk parashikon asnjë mjet kontrolli efektiv si më sipër.
6. E njëjta problematikë si më sipër është dhe lidhur me zbatimin e detyrimeve tatimore. Neni 105 i ligjit parashikon se, personat fizikё dhe juridikё, subjekte të këtij ligji, i nënshtrohen sistemit tatimor në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Ndërkohë që, në rastin konkret, bëhet fjalë për transaksione që mund të mos lënë asnjë gjurmë. Në këto kushte, si do të mblidhen detyrimet tatimore për këto transaksione? Ky është një shqetësim edhe për vendet e zhvilluara sa u takon transaksioneve me monedha virtuale.
Kësisoj, ky ligj, nisur dhe nga vlerat e larta monetare që mund të tregtohen (mbi 1 000 000 Euro, referuar nenit 33 të ligjit), krijon një regjim të ri, të pabarabartë, për zotëruesit e këtyre shumave monetare, në raport me pjesën tjetër të subjekteve në Republikën e Shqipërisë, që për çdo transaksion, paguajnë detyrimin përkatës tatimor.
Ndaj parashikimet e këtij ligji, shoqëruar me pamundësitë e gjurmimit të transaksioneve dhe mungesën e harmonizimit të tij me pjesën tjetër të legjislacionit në fuqi, përfshirë atë tatimor, cenojnë nenin 18 të Kushtetutës.
7. Disa dispozita të këtij ligji parashikojnë se cilat veprime apo mosveprime përbëjnë vepër penale të dënueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës. Konkretisht:
Neni 88, pika 6, e ligjit parashikon se:
“Ushtrimi i veprimtarive që përbëjnë sjellje të jashtëligjshme, të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, konsiderohen vepra penale në kuptim të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.”
Neni 90, pika 3, parashikon se:
“Kryerja e veprimeve në kundërshtim me pikën 1, këtij neni, konsiderohen vepra penale në kuptim të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.”
Neni 92, pika 1, parashikon se:
“Për qëllime të vlerësimit të prezencës ose jo të veprës penale të parashikuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, lidhur me përdorimin e paautorizuar dhe përhapjen e informacionit të privilegjuar, autoritetet përgjegjëse gjatë hetimit administrativ vlerësojnë edhe nëse informacioni i privilegjuar përfshin: […]”
Parashikime të ngjashme janë bërë dhe në ligjin nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”, ligj i cili është kthyer për rishqyrtim. Edhe në këtë rast, risjellim në vëmendjen tuaj se:
Përcaktimi i veprave penale bëhet vetëm në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Është ky akt ligjor, miratuar me shumicë të cilësuar, që ka përcaktuar se cilat veprime apo mosveprime të kryera në cenim të marrëdhënieve të caktuara shoqërore të mbrojtura nga legjislacioni penal, konsiderohen si vepra penale.
Parashikimi i bërë në këto dy nene që përpiqen t`i klasifikojë veprimet e rregulluara nga ligji si konsumim i një vepre penale të sipas Kodit Penal, duke zgjeruar apo ngushtuar kuptimin e zbatimit të tij, cenojnë hierarkinë e akteve dhe bie ndesh me nenin 116 të Kushtetutës.
Neni 1 i Kodit Penal parashikon se, është ligji penal ai që përcakton veprat penale, dënimet dhe masat e tjera që merren ndaj autorëve të tyre.
Gjykata Kushtetuese ka theksuar se, Kodi Penal përbën ligjin më të rëndësishëm, ku përfshihen në mënyrë të sistemuar dispozitat penalo-juridike. Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe mosdënimin për një vepër penale që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale.
Dispozita, që e klasifikon një veprim të caktuar si vepër penale jashtë dispozitave të Kodit Penal dhe si pjesë e një ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë të deputetëve, bie ndesh me parimin e kushtetutshmërisë, pasi prek drejtpërdrejt shtetasit në të drejtat dhe liritë e tyre, duke mosrespektuar shumicën e cilësuar për këtë qëllim, të parashikuar nga neni 81 pika 2 të Kushtetutës (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.3, datë 5.02.2010).
Ligjet e zakonshme nuk mund të trajtojnë çështje që janë parashikuar të trajtohen nga kodet apo ligjet organike. Nëse kushtetutëbërësi do të kishte dëshiruar një trajtim të njëjtë të tyre, neni 81, pika 2, i Kushtetutës nuk do të ekzistonte. […]. Legjislacioni penal ka për detyrë të mbrojë vlera të rëndësishme të tilla si pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e tij territoriale, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën etj. (shih nenin 1/b të Kodit Penal).
Ky legjislacion është një tregues kuptimplotë për çdo vend, në kuptimin se sa ai është në gjendje të balancojë të drejtën e shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror nga njëra anë, me të drejtat dhe liritë e individit nga ana tjetër. Në vlerësimin e Gjykatës kjo është, gjithashtu, një arsye tjetër që e ka detyruar kushtetutëbërësin të kërkojë një konsensus më të gjerë nga forcat politike të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim që sanksionet penale të parashikohen vetëm për ato lloj veprimesh ose mosveprimesh, të cilat, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, të jenë të krahasueshme për nga rëndësia me vlerat që mbrojnë.
8. Neni 100 i ligjit parashikon dispozitën e rendit të përmbushjes së pretendimeve për shlyerjen e detyrimeve ndaj kreditorëve dhe aksionarëve, në rastin e likuidimit. Radha e preferimit në përmbushjen e detyrimeve është e përcaktuar në nenin 605 të Kodit Civil dhe kjo radhë nuk mund të ndryshohet nga ky ligj me shumicë të thjeshtë, në përputhje me hierarkinë e akteve sipas nenit 116 të Kushtetutës. Në vetvete, neni 605 i Kodit Civil, në paragrafin e fundit, parashikon përjashtim nga kjo radhë specifike e preferimit, vetëm për procedurën e falimentimit të parashikuara në ligjin nr. 110/2016 “Për falimentimin”.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Shqetësimet e parashtruara më sipër për nenet 3, 9, 10, 13, 14, 15, 29, 36, 44, 45, 49, 51, 63, 70, 77, 82, 83, 88, 90, 92, 100, 105, duhet të mbahen në konsideratë nga ana juaj gjatë rishqyrtimit të këtij ligji.
Kuvendi duhet të analizojë me kujdes në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit tonë dhe në raport me kapacitetet për ushtrimin e kontrollit efektiv, të gjitha risqet që lidhen me paqëndrueshmërinë, natyrën e decentralizuar, kërcënimet e perceptuara ndaj sistemeve monetare aktuale dhe hapësirave që mund të krijohen për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave përmes aktiviteteve tregtare virtuale.
Kuvendi gjithashtu duhet të ketë në vëmendje që ky ligj, duke mos përcaktuar mekanizma për parandalimin e shmangies fiskale, rrezikon të çojë në dëm të konsiderueshëm në financat e shtetit, në cenim të interesit publik.
Sinqerisht,
Ilir Meta