Publikohen pamjet e kamerave të sigurisë që ka filmuar autorët e grabitjes se një poste private tek ish sheshi “Shqiponja”, ku u grabitën rreth 5 milionë lekë te reja. Siç shihet në video, autorët e kanë ruajtur postën rreth 30 minuta para se të ndërhynin me armë për ta grabitur.
Ata shfaqen në zonë në orën 21.18 minuta me një motor të zi. Njëri është i veshur me të zeza ndërsa tjetri ka pantallona të zbardhura. Gjatë gjithë kohës ata mbajnë skafandra në kokë për të fshehur imazhin e tyre. Një prej autorëve, që sipas policisë ishte i armatosur, mban edhe një çantë krahu ku më pas fut paratë e grabitura, shihet në pamjet e publikuara nga News24.
Pasi parkojnë pranë postës autorët zbresin nga motorri dhe bëhen gati për të ndërhyrë, por në rrugë ka shumë lëvizje dhe pranë tyre afrohet një i ri i cili ka parkuar makinën në vendin ku autorët kishin qëndruar. Kjo bën që ata të largohen me shpejtësi nga zona për t’u rikthyer 2 minuta më pas. Këtë lëvizje ata e kanë bërë për 30 minuta derisa në orën 21.50 kryen grabitjen. Pavarësisht se policia fill pas ngjarjes ushtroi kontrolle dhe ngriti postblloqe në shumë zona të kryeqytetit, autorët e kësaj ngjarje ende nuk janë kapur.
g.kosovari