Sot, Prof. Rexhep Qosja ka ditëlindjen. Mbush 84 vjeç. Është një rast sa për t’i uruar jetë të gjatë dhe shëndet Profesorit, aq dhe për të bërë një vlerësim të punës së tij të madhe dhe të vyer në shërbim të kombit.
Për fat të mirë, sapo ka mbaruar së shtypuri në Tiranë romani më i ri i tij nën titullin intrigues “Të fshehtat e treguara”, me siglën e Botimeve Toena. Ky roman është përfunduar në ditët e karantinës së koronavirusit, aty mbarojnë ngjarjet, çka tregon se është dhe një vepër e freskët… Prandaj dhe autori duhet uruar edhe për këtë vepër.
Profesor Rexhep Qosja është një mik i ngushtë i gazetës DITA, na ka dhënë vazhdimisht intervista dhe opinione të rëndësishme, ndaj dhe ne na takon e drejta morale të bëjmë promovimin e veprës më të re të tij.
Romani ka një aktualitet të jashtëzakonshëm dhe me një rezonancë për vitet që vijnë. Kam biseduar ditët e fundit disa herë me Prof. Qosjen pas ndarjes nga jeta të Moikom Zeqos.
Janë biseda tejet njerëzore gjatë të cilave unë kam biseduar me profesorin përtej ndarjes nga jeta të një miku të shtrenjtë, edhe për çështje esenciale të politikës dhe kulturës, të cilat në mënyrën më të koncentruar tregohen në këtë libër të ri të tij.
Akademiku i shquar e ka shprehur shumë herë se ai i është përkushtuar gjatë gjithë jetës çështjes kombëtare shqiptare dhe mbrothësimit të kombit, të cilin ai e ka parë gjithmonë si një i tërë, pa ndarje kufijsh. Kjo devizë e tij është sintetizuar në korpusin e veprave të tij e në mënyrë të veçantë në romanin e tij më të ri.
Unë si një nga lexuesit e parë të kësaj vepre them se romani më i ri i Rexhep Qosjes është një ngjarje e gëzueshme për botën letrare dhe kulturën kombëtare shqiptare.
Rexhep Qosja është një shkrimtar i angazhuar si rrallëkush tjetër me një zë të fuqishëm si intelektual, me një autoritet të padiskutueshëm. Me një përkushtim të deklaruar për t’i shërbyer kombit të tij, për ta ndriçuar dhe prosperuar atë, shpesh, shumë shpesh, Rexhep Qosjes letërsia dhe studimet e tij i duken të pamjaftueshme për këtë qëllim të lartë, ndaj dhe hidhet vrullshëm në publicistikë, jep intervista dhe bën polemika në shtyp dhe medie të tjera, pasi e ka kuptuar ndikimin që ka fjala e tij.
Pikërisht në këtë aspekt mendimi i tij është më i drejtpërdrejt dhe më i asimilueshëm nga shqiptarët kudo që ndodhen. Në këtë hulli dhe si vazhdim i saj i natyrshëm do të ishte padyshim edhe ky roman i ri i tij.
Sa për të shuar kureshtjen fillestare të lexuesve se ç’është ky roman i Rexhep Qosjes, po tregoj vetëm dy episode të shkurtra:
Vetë autori në faqen e parë të këtij libri ka vënë këtë shënim: “Përpos personazheve imagjinare, që janë më të shumta, në këtë roman omnibus paraqiten edhe personazhe reale, me nofka, emra e mbiemra të vërtetë ose të ndryshuar, që janë të paktë. Sjelljet, veprimet, mendimet e tyre të mira apo të këqija, paqësore apo të dhunshme, të dëshirueshme apo të frikshme janë të imagjinuara e jo vërtet të ndodhura.
Në qoftë se ndonjërit prej tyre i pëlqen shumë apo e tranon vetja në roman, kjo s’është as meritë e as faj i shkrimtarit po i vetë personazhit.”
Ndërsa njëri nga personazhet e këtij romani shprehet në trajtën e një konkluzioni: “Përpara as kam folur e as kam shkruar për Enver Hoxhën sado kam shkruar e folur shumë kritikisht për socrealizmin në letërsi, në arte e në shkencë si prodhim i diktaturës komuniste. Por, tani për Enver Hoxhën kam shumë gjykime të mira. Pse jo? Sa më shumë po i njoh këta sundimtarët e sotëm aq më i virtytshëm po më del Enver Hoxha. Ai vërtet ishte diktator, diktator i arsimuar iluminist, por u bë diktator, sepse i njohu dhe i kuptoi të këtillët – disa nga këta dhe disa si këta të sotmit”.
Në vijim të kësaj ideje, po sjell këtu edhe fjalët e një personazhi nga romani “Bijtë e askujt”:
“Enveri e pastroi shqiptarin prej morrave, pleshtave, tartabiqeve, dregëzave, zgjebës; Enveri e shpëtoi Shqipërinë prej malaries, kurse këta të sotmit po e ndotin Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve me hedhurinat e llojllojshme dhe radioaktive, prej centraleve evropiane! Për euro! Enveri i bëri kënetat fusha pjellore, kurse këta të sotmit fushat po i bëjnë këneta dhe liqene!… Enveri ishte shumë, shumë më largpamës se këta hyzmeqarët e tij. Enveri donte të bënte një komb. Një komb me një identitet. Një komb me emra kombëtarë, me mbiemra, me gjuhë, me histori, me kulturë, me bindje, me shpirt, me vetëdije, me shtet. Po, me shtet të fortë kombëtar…”.
***
I kërkova para dy ditësh prof. Shefkije Islamajt në Prishtinë, të më shkruante diçka për Akademikun e shquar, për personalitetin e tij krijues dhe studiues, por në mënyrë të veçantë për kontributin e Prof. Qosjes në mbrojtjen e gjuhës standarde shqipe. Zonja Islamaj më ktheu një përgjigje të qartë: Kam shkruar për këto çështje kur prof. Qosja botoi romanin “Bijtë e askujt”. E, me rastin e atij botimi unë kam shkruar ndër të tjera:
“Gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde me kufij të zgjeruar. Asaj nuk mund t’ia veshësh treguesit e asnjë idiomë organike, edhe pse brenda saj përdallojmë veçori të folme gege, në rend të parë njësi leksikore të ligjërimit gegë, por edhe shmangie të qëllimshme në nivele të ndryshme gjuhësore. Në të vërtetë gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde në kuptimin jo vetëm të përfshirjes, por edhe të krijimit të risimeve gjuhësore të nevojshme për shprehjen e tij gjuhësore-artistike. Këto risime në rend të parë i hetojmë në rrafshin strukturor dhe në rrafshin leksiko-frazeologjiko-sintaksor.
…Vepra letrare e Rexhep Qosjes zbulon qartë raportin që ka ai ndaj botës e ndaj gjuhës; ky raport është krijues e i ndërtuar mbi parimin e lirisë së gjerë krijuese, prandaj mund të flitet për krijimtarinë e tij artistike dhe për krijimtarinë e tij gjuhësore. Rexhep Qosja nuk na sjell vetëm botën e njohur dhe nuk shfrytëzon vetëm gjuhën e gatshme: ai krijon botë dhe krijon gjuhë, në të vërtetë duke krijuar gjuhën, krijon edhe botën e veprës së tij dhe anasjellas, prandaj analiza e veprës letrare duhet të shoqërohet edhe nga analiza gjuhësore-stilistike, sepse analiza e shprehjes gjuhësore nuk është e vlefshme pa analizën e përmbajtjes dhe anasjellas.”
Është një fatmirësi që nga personalitete si Rexhep Qosja të lexosh vepra të reja dhe me një freski të admirueshme. Ky roman del sot në qarkullim.
Në vijim po sjellim parathënien e romanit “Të fshehtat e treguara” shkruar nga vetë autori.
PSE PO E SHKRUAJ KËTË ROMAN?
Nga Rexhep Qosja
Posa ulem në karrige, afër tryezës së punës, në të cilën i kam shkruar pothuaj të gjithë ata libra që kam shkruar deri sot, e, mjerisht, janë më shumë se ç’do të ishte mirë për mua, m’u bë se tryeza disi e mpakur nisi të largohet prej meje.
Hej! Hej, ku do? E pyes, por ajo nuk më përgjigjet.
Je në vete apo je çmendur në këtë vapë të madhe? E pyes prapë duke mos menduar se me këtë pyetje mund ta hidhëroj, por ajo as në këtë pyetje nuk më përgjigjet.
Në vend që ta bezdis më tej me pyetje, duke pritur potë e jo-të, u turra pas saj, natyrisht i ulur në karrige, derisa ajo, tryeza e punës, nuk u ndal te muri, në anën e djathtë të dritares.
Këtu e kam vendin unë e jo atje në mes të dhomës, tha. Tani unë po të pyes ty se kush më ka qitur atje dhe më ka qitur atje, në mes të dhomës, pa më pyetur?
Nuk dita t’i përgjigjem se kush e kishte hequr tryezën e punës prej vendit ku kishte qenë gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve dhe e kishte vënë në mes të dhomës, thuajse tani e tutje nuk do të shkruhej më në të, por do të luhej bixhoz!
Ndjeva një siklet, plot gëlimmendor që ma kishte sjellë në mendje atë shkrimtarin e mendimtarin e Italisë, Umberton, Umberto Ekon, i cili thotë se kishte ndier njëfarë sikleti kur ishte ulur të shkruante romanin e tij, nuk e di a ishte i fundit a i parafundit, Varreza e Pragës.
Dhe, i sigurt, prej këtij sikleti, më doli gjumi.
Ndoshta më shpejtueshëm se mëngjeseve të tjera çka mendova se duhej bërë për ta marrë veten.
Vërej: asnjë send në dhomë nuk lëviz, as ato sende që janë në dysheme, as ato që janë në mure e në dritare e as ato, të paktat, që janë ngjitur në tavan.
Dëgjoj: ushtima e veturave dhe automjeteve të tjera në rrugën, që s’është larg shtëpisë sime, është e njëjtë dhe i njëjtë është edhe zëri i papagallit në kafazin e tij në paradhomë.
Prek: prek njëherë me dorën e djathtë e, mandej, edhe me të majtën, sendet që kam afër e, mandej, kur çohem në këmbë, edhe sendet e tjera nëpër dhomë: edhe sendet janë të qeta, edhe duart e mia janë të dëgjueshme!
E, mandej, ndoshta më ngadalë se mëngjeseve të tjera, bëj çka duhet të bëhet për ta quajtur veten të përgatitur trupërisht dhe shpirtërisht për t’u ulur në karrigen në të cilën gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve jam ulur pranë kësaj tryeze, që është ku kishte qenë gjithnjë: e mbështetur për muri në anën e djathtë të dritares së djathtë të dhomës, që quhet e imja.
Dhe, në karrigen pesëdhjetepesëvjeçare ulem pa u liruar prej sikletit që më ka shkaktuar ëndrra e rrëfyer, ndoshta jo me të gjitha cikërrimat që përmban ajo, që, mendoj, nuk do të duhej t’ia tregoja lexuesit.
Vë bërrylat në tryezë, i afroj letrat e bashkuara me një kapëse të bardhë, i afroj tre lapskimikët e trashësive të ndryshme me të cilët shkruaj – jo gjithnjë, duke i ndërruar pas çdo dy a tri orësh dhe nuk lë pa e afruar edhe celularin të cilit pa harruar ia shurdhoj zërin, kur të fortë e kur të squllët.
Marr lapskimikun e kaltër dhe ia afroj fletës së bardhë dhe shkruaj fjalën e parë të romanit Ajo, por shpejt i bie vijë dhe shkruaj emrin Havaja.
Por, ndiej: sikleti nuk më ka kaluar.
Uni im i parë pyet Unin tim të dytë: përse nuk të kaloi ai siklet?
Por, Uni i dytë, ndoshta pse është i dytë, nuk i përgjigjet Unit tim të parë. Dhe, nuk i përgjigjet ndoshta bash pse është Unë i dytë e Uni i dytë, si të gjithë unët e dytë, dëshirojnë t’i mistifikojnë përgjigjet që duhet t’u jepen pyetjeve të unëve të parë.
Megjithëse i kam lexuar shumicën e veprave të Umbertos, të Umberto Ekos, jo vetëm ato letrare, por edhe ato teorike e estetike, nuk mund të them se i kam të qarta arsyet e sikletit që i shfaqej kur ulej të shkruante romanin Varreza e Pragës, e, ndoshta, jo vetëm kur ulej të shkruante këtë roman të madh me sasi e me cilësi, por edhe kur ulej të shkruante edhe veprat e tjera, sidomos romanet e tjera. Mesjeta, prej së cilës vijnë pothuaj të gjitha temat e motivet e romaneve të tij, janë përplot jezuitë, masonë, satanistë, satanistë histerikë, karbonarë, maxinianë, thika, kama, sakica të ndryshkura, të vdekur që ngjallen, të gjallë që vdesin pa vdekur, kryqtarë e të tjerë të ngjashëm e të pangjashëm, që mund t’i kenë shkaktuar siklete të ndryshme më të shkurtra e më të gjata Atij, Umbertos.
Por, rrëfimtari i romanit me protagonistë Bardhin e Havanë mund të ketë edhe disa arsye të tjera pse sikletoset, që nuk i ka pasur shkrimtari i Italisë. Për dallim prej italianit, për mua të përveçuar, që nuk frikësohet se mund të dalë dikush e të kërkojë prej tij të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, rrëfimtari, që po rrëfen i privilegjuar si autor i romanit që do të lexoni, mund ta marrë me mend se krejt kush, i madh e i vogël, i fuqishëm e i lig, do t’i thotë të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, të shkruajë këtë e të mos e shkruajë atë, të shkruajë për njërin çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do pra, pra, ta përsëris mendimin: të shkruajë për njërën çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do.
Do, do, do! S’do, s’do, s’do!
I mbyll dhe i çel sytë nëntë herë me shpresë se sado pak do të lirohem prej sikletit, që mund të më kallë krupën, që më ishte shfaqur pas ëndrrës që kisha parë mbrëmë s’e dija ende mirë, saktë, në orën sa pas mesnatës. Ngre kryet përpjetë kur symbyllur e kur syçelur; ul kryet teposhtë kur symbyllur e kur syçelur duke kujtuar Budën, Jezuin dhe Muhametin mos ata me engjëjt a djajtë që urdhërojnë do të më lirojnë prej sikletit, por, kot: sikleti po ma sundon shpirtin. Krupa po më zë frymën!
Nuk e di pas sa kohe qërimhesapesh të brendshme me vetveten, në mbamendjen time shfaqet zgjidhja e shprehur me këtë fjali: ke vendosur të shkruash për Një siklet të madh shpirtëror dhe për Do siklete shoqërore, prandaj, nuk e di pse ke harruar se më mirë shkruhet kur ke siklet sesa kur je i gëzuar.
Fillo të shkruash! Rrëfe për veten fare pak dhe rrëfe për të tjerët, shumë, për disa shumë të njohur, disa më pak e disa aspak të njohur ende. Mos u sikleto nëse do t’i bëjë të njohur apo të çnjohur rrëfimi yt dhe rrëfimi mbizotërues i protagonistit tënd.
Dy rrëfimet e romanit dhe rrëfimtari e dy protagonistët do të kujtohen e ata do të harrohen.
Siç janë harruar kryetarët e kryeministrat dhe kryetarët e kuvendeve të Francës, të Britanisë së Madhe e të Gjermanisë në shekullin XIX, ndërsa do të kujtohen e adhurohen gjatë e gjatë Floberi e Balzaku, Bajroni e Skoti, Gëte e Shileri.
Fillo të shkruash! Trego për të fshehtat!
Të fshehtat e rëndësishme e të parëndësishme, pikëlluese e argëtuese, të përhershme e kalimtare, vendore e botërore. Të fshehtat që, si të gjitha të ndodhurat e të bërat duhet të jenë të treguara. Të fshehtat me të cilat kjo Botë jeton hanedan.
Të mos ju flas për veten: unë jam rrëfimtari, e rrëfimtari duhet të jetë sa më i padukshëm në roman; ai duhet t’ia japë fjalën protagonistit, shpesh dhe protagonistes e personazheve, që t’ua bëjë frymëmarrjen të lehtë lexuesve, t’u sjellë të ofshamët dhe, pse jo, edhe atyre asnjanësve që nuk u sjell as gëzim as hidhërim.