Atalanta ka mposhtur me një përmbysje spektakolare Lacion ditën e sotme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 27-të në Serinë A.
Ekipi ku aktivizohet Berat Gjimshiti, ka përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2, duke i dhënë kështu një asist Juventusit.
Ndeshja ishte e bukur që në fillim, me të dyja ekipet që kishin disa raste për shënim. Lacio kaloi e para në avantazh, teksa në minutën e 5’ De Run shënoi autogol. Ishte Milinkoviç-Saviç që dyfishoi shifrat në minutën e 11’, duke i bërë të gjithë të mendojnë se fitorja e Lacios ishte e garantuar. Nuk ndodhi kështu! Gozens shënoi për Atalantën në minutën e 38’, duke rritur shpresat e bergamaskëve.
Pjesa e dytë foli e gjitha për zikaltërit, që shënuan edhe dy herë të tjera, si fillim me Malinovskin në minutën e 66’ dhe më pas me Palominon në minutën e 80’. Me këtë humbje, Lacio i largohet Juventusit në krye të tabelës, që tashmë është i shkëputur me 4 pikë.
Një përmbysje tjetër spektakolare ka bërë edhe Roma, që ka mposhtur me rezultatin 2-1 Sampdorian. Këta të fundit kaluan në avantazh të parët me Gabiadinin në minutën e 11’, ndërsa u përmbysën në pjesën e dytë nga verdhekuqtë, falë 2 golave të Xhekos në minutat 64’ dhe 85’.
g.kosovari