Në studion e “ABC News” shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Binio ka folur për rritjen e numrit të shtruarve në spitalin Infektiv.
Bino theksoi se në spitale situata është e rëndë, ndërsa shtoi se kohët e fundit janë vënë re forma të rënda edhe tek të rinjtë.
Më tej Bino tha se vaksina është ende në fazat e para të hulumtimeve, ndërsa shtoi se virulenca e virusit nuk ka rënë dhe se vjeshta apo dimri do të na përballë me dy sëmundje, COVID-19 dhe gripin.
“Ne shpresojmë që këto shifra të ulen, duke ndërgjegjësuar jo vetëm popullatën, por duke zbatuar edhe masat nëpërmjet policisë shpeshherë. Kur njerëzit nuk janë të ndërgjegjshëm për të mbrojtur të tjerët atëherë ndërhyn policia”, u shpreh Bino.
E pyetur lidhur me ndonjë parashikim të mundshëm për rritjen e numrit të të infektuarve, tha se një gjë e tillë mund të ndodhë pasi veç virusit, përballemi edhe gripin.
“Në vjeshtë apo në dimër do të përballemi me dy sëmundje, me koronavirusin dhe gripin, dhe kombinimi i këtyre dy sëmundjeve, që kanë shenja klinike të ngjashme, do të shtojë numrat dhe kërkesat për shërbime shëndetësore, se kemi të bëjmë me dy epidemi. Do të shihet nëse do të jenë në garë, nëse do të vazhdojnë, apo nëse dikush prej tyre do të dobësojë tjetrin. Por ne duhet të parashikojmë më të keqen, sikur do të jenë bashkë dhe agresivë”, tha Bino.
/a.r