Nga Mero Baze
I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për Kosovën, Richard Grenell, i cili do të presë në Uashington më 27 qershor udhëheqësit shqiptarë të Kosovës dhe palën serbe nga Beogradi, në përpjekje për të hedhur një hap drejt njohjes reciproke, është distancuar publikisht në një intervistë për Fox News, rreth idesë së shkëmbimit të territoreve nga SHBA.
Me një lehtësi ta padurueshme, zoti Grenell ja atribuoi këtë ide ish- këshilltarit të Sigurisë kombëtare, John Bolton, tashmë një pensionist i dorëhequr nga Shtëpia e Bardhë.
Deklarata në të vërtetë qetëson atmosferën e trazuar dhe konspiracionin rreth ndryshimit të kufijve në Ballkan, por nga ana tjetër ngre pikëpyetje të forta rreth rolit të protagonizmit personal të diplomatëve dhe fuqisë së SHBA në rajon.
Fuqia e SHBA në rajon dhe veçanërisht mes shqiptarëve, qëndron në faktin që politika amerikane bazohet në parime afatgjata, të sigurta dhe të pandryshueshme nga individë që janë në krye të diplomacisë.
Të gjitha argumentet që shqiptarët kanë pro SHBA, bazohen pikërisht në idenë që diplomatët apo zyrtarët e saj, përfaqësojnë një politikë të konsoliduar amerikane për rajonin dhe nuk reflektojnë hobe, apo ide ekstravagante të ndonjë zyrtari të caktuar.
Deklarata e zotit Grenell qetëson shumë njerëz para takimit historik të Uashingtonit, por ngre njëkohësisht pikëpyetje për sigurinë që mund të kenë marrëveshje që bazohen në vullnete individësh.
Fakti që ambasadori Grenell, e pranoi që kjo ka qenë një ide e zotit Bolton dhe jo e presidentit Trump, më shumë se shfajësim, është pasiguri për çdo zyrtar amerikan që udhëheq procese të tilla me protagonizëm personal, që e paraqet si politikë të SHBA.
Energjia që i ka dhënë ambasadori Grenell dialogut Kosovë- Serbi është i pashembullt dhe ndoshta më e madhja në këto 20 vite të pavarësisë së Kosovës, por tani duhet të bindemi që ky është vullnet i Uashingtonit, dhe jo një zyrtari të saj, edhe pse është shumë pozitive për rajonin.
Se me këtë kriter që zoti Grenell shfajësohet për Boltonin, mundet pas nëntorit dikush tjetër të shfajësohet për zotin Grenell. Dhe pastaj data 27 qershor ngelet thjesht një vizitë shqiptarësh dhe serbësh në Uashington.