Analisti Agron Gjekmarkaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur tek Reforma Zgjedhore, por edhe negociatat me BE.
Gjekmarkaj tha se teorikisht palët politike do ta gjejnë gjuhën për këtë reformë, duke shtuar se ai që po luan, edhe pse hiqet si viktimë, është kryeministri Edi Rama. Ndërsa për negociatat me BE shtoi se një nga gjërat më të mira që ka bërë kjo qeveri është emërimi i ambasadorit Zef Mazi si kryenegociator, i cili është i pakontestueshëm.
“Teorikisht do ta gjejnë gjuhën palët. Ai që po luan, pavarësisht se po hiqet si viktimë, dje kërcënoi opozitën, e kam fjalën për kryeministrin. Kemi pak a shumë reformën që kemi pas, me ca risi, që janë kontribut i kërkesave të opozitës, si rikompozimi i KQZ dhe identifikimi biometrik, pra një sukses i opozitës. Opozita është e pafuqishme për ta ndalur këtë reformë, kështu që kryeministri po përpiqet të radikalizojë situatën”, u shpreh analisti.
Do t’i nisim dot negociatat me BE?
“Gjëja më e mirë që ka bërë qeveria Rama në raport me integrimin është emërimi i ambasadorit Zef Mazi si kryenegociator, që është i pakontestueshëm. Por nuk e di a na mjaft vitrina pa thelbin pas, ku thelbi janë kushtet. Nuk ka asgjë të përbashkët Shqipëria me Evropën në planin politik. Është e kotë që kryeministri të bëjë reagime për 15 kushtet. Problemi mbetet, është në mes të sheshit të Shqipërisë”, përfundoi Gjekmarkaj.
/e.rr