Dorëhiqet drejtori i shtatë i Kadastrës së Vlorës. Jurgen Pilkati u emërua në këtë detyrë në datën 2 qershor, ndërsa sot mësohet se ka dhënë dorëheqjen. Drejtori i radhës qendroi në detyrë vetëm 14 ditë. Arsyet e largimit nuk janë të qarta.
Jurgen Pilkati, u komandua në këtë detyrë pas dorëheqjes së Viola Himës, e cila qëndroi si kryeregjistrues vetëm 4 ditë. Edhe pse qëndroi më gjatë se Hima, ai nuk ka firmosur asnjë dokument si kreu i Kadastrës.
Kjo situatë në Kadastrën e Vlorës ka disa vite që vijon të mbetet e njëjtë, ku problemet e pronave nuk po marrin fund, sidomos me tokat e bregdetit, ku edhe po bëhet lufta më e madhe. Para Pilkatit kanë qenë dhe 6 drejtorë të tjerë që janë larguar vetëm muajt e fundit.
Himaj ishte drejtori e radhës e këtij institucioni që kishte marrë përsipër të rregullonte konfliktin e pronave në këtë zonë, të cilat dyshohet se janë shkak për largimet dhe dorëheqjet e njëpasnjëshme.
Drejtorët e larguar
Viola Hima (4 ditë në detyrë)
Bilbil Aliaj ( 4 shkurt – 22 maj 2020)
Taulant Canameti (nëntor 2019 – shkurt 2020)
Elona Hodaj (shtator 2019 – tetor 2019)
Alteo Nazëraj (shtator 2019 – shtator 2019)
Florian Almadhi (maj 2019 – shtator 2019)
Klodian Troci (korrik 2018 – shtator 2019)
/a.r