Konsullata e Kosovës në Kopenhagë të Danimarkës ka rënë pre e një sulmi. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e cila e ka dënuar ashpër sulmin ndaj kësaj konsullate.
“Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës. Bazuar në vëzhgimin e situatës nga konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme për të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit”, thuhet në njoftim.
Konsullata e Kosovës ka njoftuar policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një notë verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejtë të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë, njofton Ministria e Jashtme.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt. Angazhimi ynë nuk do ndalojë, pavarësisht akteve të tilla vandale”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha po ashtu se inkurajon të gjithë diplomatët që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës së tyre, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
/e.rr