Konfirmimi me COVID-19 i dy punonjësve të sektorit të Urbanistikës pranë Bashkisë së Durrësit ka detyruar këtë institucion ta mbylli këtë shërbim deri në një urdhër të dytë.
Përveç sektorit të Urbanistikës, që i gjithë personeli i saj është vetëkarantinuar, shërbimet e tjera në Bashkinë e Durrësit janë të hapura për qytetarët, hyrja e të cilëve është e ndaluar, nëse nuk mbajnë mjetet mbrojtëse, si maska dhe doreza.
Për të ndërprerë përhapjen e Covid-19 në të gjithë administratën vendore, autoritetet shëndetësore u kanë bërë tamponë edhe për 28 punonjësit e tjerë që kanë pasur kontakte të afërta me dy të infektuarit.
Pjesa më e madhe tyre kanë rezultuar negativë, por pavarësisht kësaj autoritetet shëndetësore u kanë kërkuar të qëndrojnë të vetëkarantinuar për dy javë në shtëpitë e tyre dhe nëse shfaqin shenja të Covid-19 të njoftojnë 127.
Epidemiologët ende nuk kanë mundur të zbulojnë burimin e infeksionit të dy punonjësve, nëse është marrë nga njeri tjetrin apo janë infektuar nga transmetimi komunitar.
Ata thonë se po punojnë për gjurmimin e rasteve me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë në Durrës janë 25 persona aktivë me koronavirus.
/e.rr